Duke folur si drejtues politik i qarkut të Korçës,Niko Peleshi është shprehur i bindur se PS-ja do të marrë një mandat të tretë. Kjo siguri, shprehet se i buron nga fakti që kjo qeveri i ka mbajtur të gjitha premtimet elektorale.
"Nuk paragjykoj votën e qytetarëve sepse e thashë që është një sfidë veçanërisht e vështirë, por nuk mund të fsheh edhe faktin që jam pjesë e një force politike dhe në të njëjtën kohë jam optimist. Nëse nuk do të isha optimist, nuk do të merrja përsipër as detyra politike, as detyra ekzekutive si kjo e ministrit të Mbrojtjes. Dhe nuk është vetëm për mua, nuk është formulë personale, por gjithkush në rast se beson që përmes angazhimit të vet mund të arrijë sukses, merr përsipër edhe përgjegjësinë. Unë jam edhe drejtues politik në një qark të rëndësishëm të vendit, në qarkun e Korçës dhe deri më sot kam folur me optimizëm, kemi arritur rezultate shumë të mira, shpresoj që do të arrijmë rezultate të mira, të cilat nuk janë vetëm, po dal tani te pyetja juaj, nuk janë vetëm rezultat i organizimit, i frymës dhe i punës që partia bën në nivel rajonal apo lokal, por janë edhe rezultat i performancës qeverisëse. Dhe për të dalë te përgjigjja për pyetjen tuaj: po, unë e besoj edhe qytetarisht që PS-ja, kryeministri Rama, meriton një mandat të tretë. Nuk flasim këtu për perfeksion, nuk flasim për tejkalime si njëherë e një kohë, të ambicieve apo të premtimeve. Flasim për një performancë shumë të mirë të kabinetit qeveritar, për përmbushje të premtimeve elektorale", tha Peleshi.
Nuk jemi qeveri perfekte, shton Peleshi, pasi sipas tij ka sektorë që mund të kishin ecur me ritme të më të shpejta, ashtu sikurse thotë se në disa fusha kanë kaluar pritshmëritë.
"Në rast se nuk do të isha optimist apo në rast se nuk do të besoja apo nuk do të vlerësoja që kabineti qeveritar, qeveria e dalë nga vota për PS-në, nuk do të kishte përmbushur kontratën me qytetarët, natyrisht që nuk do të mund të isha edhe unë një optimist i pabazë. Nuk dua të them se kemi shkëlqyer në të gjitha drejtimet. Natyrisht që ka disa fusha, sektorë, projekte, programe ku kemi ecur me ritme më të shpejta, diku kemi ecur me ritme më të ngadalta, diku për arsye objektive, diku për arsye suvjektive le të themi, pra mund të kishim punuar më mirë në ndonjë projekt apo në ndonjë sektor, ashtu sikundër kemi tejkaluar edhe pritshmëritë tona në sektorë të tjerë. Në rezultante të së gjithës, unë jam i bindur që PS-ja, qeveria e buruar prej votës për PS-në, kryeministri Rama, e meriton për të mirën e vendit, për të mirën e qytetarëve dhe pastaj për të mirën politike të forcës sonë, por për të mirën e qytetarëve meriton të ketë një mandat të tretë", shtoi ministri.
Lajmi kryesor: