Në nisje të legjislaturës së re, socialistët që do të dominojnë parlamentin me 83 mandate, janë të parët që zyrtarizuan emrat e kryetarëve për 7 komisionet parlamentare që do të drejtohen prej tyre. Drejtimin e komisioneve parlamentare Edi Rama ia ka besuar figurave me peshë. Të gjithë ish-ministra në qeveritë e tij të mëparshme.
Edi Rama shkoi personalisht të mbikëqyrte ndarjen e punëve në mbledhjen e parë të grupit parlamentar e cila u drejtua nga Taulant Balla. Në krye të Ligjeve, një prej komisioneve më të rëndësishëm dhe me volumin më të madh të punës, do të rikthehet ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, të cilit Rama ia delegoi punën që në Asamblenë e Partisë Socialiste.
Komisionin e Ekonomisë ia besuan Milva Ekonomit, e cila ka drejtuar disa ministri në qeveritë e Edi Ramës, përfshirë edhe atë të ekonomisë. Një ish-ministër rendi në krye të Komisionit për Çështjet e Mbrojtjes dhe të Brendshme, Bledi Çuçi, të cilin Rama e la jashtë qeverisë.
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin Rural, një komision i krijuar rishtas, do të drejtohet nga ish-Ministrja Anila Denaj. Blendi Klosit, Edi Rama i besoi Komisionin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Zhvillimit Rural. Igli Hasanit të cilin e largoi nga drejtimi i Ministrisë së Jashtme, i dha Komisionin me po të njëjtin emër.
Ashtu siç e kishte paralajmëruar, “Antikorrupsioni”, vazhdimi i reformës në drejtësi, shndërrohet në një komision të përhershëm, atë të “Mbikëqyrjes Institucionale”, drejtimin e të cilit Rama ia besoi sërish Fatmir Xhafajt.
Damian Gjiknurin nuk e riktheu në qeveri, por i besoi sërish Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Mazhoranca i rikthehet sërish ndarjes territoriale dhe këtë herë Rama ia besoi drejtimin, ish-ministrit të pushtetit vendor, Arbian Maznikut.
Në 4 komisionet që do të drejtohen nga opozita, shumicës i takojnë nënkryetarët. Këtu Rama shpërblen të rinjtë. Iris Luarasi nënkryetare e Komisionit për të Drejtat e njeriut, ndërsa Erion Malajn nënkryetar të “Kulturës, Turizmit dhe Diasporës. Edukimi dhe Shëndetësia do të përfaqësohen nga drejtues me eksperiencë, përkatësisht nga Evis Kushi dhe Eduard Shalsi.
PD-PS, pa konsensus për komisionet parlamentare
Rreth 1 orë mbledhje që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi zhvilloi me krerët e grupeve parlamentare, Taulant Balla, Gazment Bardhi dhe Tedi Blushi, nuk garantoi dakordësi për strukturën e re të Parlamentit.
Opozitarët së pari kundërshtuan formën si ishte shpallur kjo arkitekturë e Kuvendit. Nga ana tjetër demokratët protestuan për shkrirjen e komisionit parlamentar të Integrimit, që historikisht është drejtuar nga opozita.
Opozita gjykon se 4 komisionet që i janë besuar, përballë 7 që mazhoranca mori drejtimin, nuk janë të rëndësishëm. Megjithëkëtë, në fund opozitarët do t'i plotësojnë vendet e tyre në Komisione, pasi forca e kartonëve të PS, nuk lënë hapësira që opozita ta bllokojë ndryshimet në rregullore në seancën e së martës.
Partia e Lirisë, nuk do të drejtojë asnjë komision. Në këtë takim konsultues Tedi Blushi, përfaqësoi grupin parlamentar të Partisë së Lirisë që është ngritur me 3 deputetë hua nga PD, emrat e të cilëve vetë kryetari, nuk i di ende.

Kliko këtu për të lexuar relacionin e plotë

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Kuvendi do të mblidhet nesër (16 shtator), ku do të zhvillohen dy seanca plenare.
Seanca e parë do të zhvillohet në orën 10:00, ndërsa seanca e dytë do të zhvillohet në orën 17:00.
Në mbledhjen e Kuvendit të orës 17:00 do të diskutohet projektvendimi për zgjedhjen e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit.
‘PËR MBLEDHJEN E KUVENDIT NË SEANCË PLENARE, DATË 16.9.2025, ORA 17:00. Në mbështetje të nenit 7, pika 6, nenit 21, nenit 22 dhe nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, URDHËROJ: I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 16.9.2025, ora 17:00. II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Projektvendimi "Për zgjedhjen e kryesive të komisioneve të përhershme të Kuvendit”. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet. IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë’, thuhet në njoftim e Kuvendit.
Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla ka folur për mediat pas takimit të Niko Peleshit me krerët e grupeve për strukturën e re të Kuvendit. Balla iu përgjigj akuzave të opozitës, duke u thënë se nuk mund të konsultoheshin me ta për strukturën e re, kur ende nuk ishte konstituar Kuvendi, Balla tha për gazetarët se tashmë është e nevojshme një strukturë e re, duke iu referuar ndryshimeve në Komisione, pasi sipas tij ky organizim duhet të reflektojë edhe nevojën për t’iu përqasur marrëveshjes për anëtarësimin në BE
“Kemi marrë iniciativën për ta propozuar, po ashtu kemi ftuar edhe opozitën siç është fryma e rregullores. Kryetari i Kuvendit i kërkoi grupeve parlamentare të propozojnë anëtarët e këshillit për rregulloren, Këshillit për Legjislacionin, të marrin jetë institucionet ku mund të takohesh me opozitën. Nuk mendoj se mund të konsultoheshim me opozitën para se kuvendi të takohej. Në seancën e tretë duhet të ngremë institucionet dhe për pasojë të marrim edhe vendimet. Kuvendi i Shqipërisë duhet të ketë një organizim të ri, të reflektojnë edhe momentin historik që kemi, nevojën për t’iu përqasur marrëveshjes për anëtarësimin në BE, që më në fund kemi një komision parlamentar për diasporën. Na duhet që brenda kësaj jave të shqyrtohen dekret për qeverinë dhe programin, na duhet të kemi gati konferencën e kryetarëve për të diktuar kohën e debatit. Është domosdoshmëri të kalojmë këtë etapë të parishikuar nesër, që brenda kësaj jave të mbyllim proceset e tjera.
Akuzave të opozitës se u përjashtuan nga Integrimi, iu jep këtë koment.
“Propozimi Ramës, është një ngritje të nivelit më të lartë të mundshëm të komisionit për çështjet europiane. Kur ka nisur ky komision 20 vjet më parë, ishte një komision ku anëtarësia nuk përllogaritej, ishte komision i dorës së dytë. Bëhet komisioni më i rëndësishëm”, theksoi Balla.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, duke folur për mediat pas mbledhjes me kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi për strukturën e re të parlamentit, hodhi akuza ndaj maxhorancës. Bardhi tha se ndryshimet për komisionet parlamentare i morën vesh nga mediat në ditën e Asamblesë së PS-së.
Sipas tij, maxhoranca ka shkelur kushtetutën dhe se Shqipëria bëhet vendi i parë që i heq opozitës drejtimin e Komisionit të Integrimit. Ai argumenton se duke qenë se qeveria e ka shpallur edhe prioritet këtë mandat integrimin, nuk do të duhej që ta shkrinte këtë komision me atë të Jashtmin.
“Kuvendi dhe komisionet parlamentare janë mekanizma pune të përbashkëta dhe si në çdo vend demokratik, organizimi i punës duhet të ishte produkt i përbashkët. Fakti i prezantimit të ndryshimeve në asamblenë e PS, i bërë sot i kryer me caktimin e kryetarëve dhe zv. kryetarëve të PS, tregon frymën autoritare që Rama ka instaluar në Republikën e Shqipërisë. Për ne është e papranueshme. Së dyti, kemi sqaruar se me veprimin e shkrirjes së komisionit të Integrimit, mekanizmi që kishte në dorë opozita për rolin e saj kontruktiv dhe për të dhënë konsensus, në këtë moment zerohet se ky komision është bashkuar me atë të jashtëm dhe pas 21 vitesh opozita s’do të ketë më procesin e drejtimit të këtij procesi. Qëndrimi se nuk kemi shkrirë Komisionin e Integrimit por atë të Jashtëm, në fakt pasqyron atë që kemi thënë, vullnetin e mazhorancës për të përjashtuar opozitën nga procesi i integrimit. Së dyti, na u soll si argument se kemi ndjekur modelin e organeve të Bundestagut gjerman. Atje ka edhe komision të jashtëm dhe të çështjeve evropiane. Grupi parlamentar i PD i ka kërkuar institucioneve të kuvendit të bëjnë një studim se si janë të organizuara komisionet parlamentarre në rajon dhe së dyti se si janë të organizuara komisionet parlamentare në disa prej vendeve anëtare të BE. Dhe sipas studimit të vetë kuvendit, në të gjitha vendet e Ballkanit ka edhe komision të integrimit evropian, që në të gjitha vendet drejtohet nga opozita edhe komisionet për punët e jashtme. Shqipëria bëhet i pari vend që jo thjesht përjashton opozitën nga procesi i integrimit, dhe nuk ka një komision të dedikuar për integrimin", tha Bardhi.
Sa i përket mbledhjes së parlamentit gjatë ditës së martë ose të mërkurë, për të miratuar rregulloren e re, Bardhi tha se kjo gjë nuk mund të ndodhë, sepse rregullorja parashikon që duhet të përmbushen të paktën 2 javë nga momenti i depozitimit për ta shqyrtuar.
"E treta është zvogëlimi i rolit që ka secili prej komisioneve. Asnjë nga komisionet tematike, nuk do të ketë mundësi të ushtrojë funksonin e vet të kontrollit për zbatimin e ligjeve për shkak të komisioneve të veçanta. Plani i mazhporancës për të mbledhur kuvendi në tre ditë me urgjencë sikur të jemi në gjendje të jashtëzakonshme shkel rregulloren e kvuendit dhe kjo nënkupton shkelje të kushtetutës”, tha Bardhi. Vetëm përpara 5 minutash na është vënë në dispozicion një kopje e këtyre propozimeve. Dhe sipas rregullores së Kuvendit, asnjë propozim për ndryshim rregullore nuk mund të futet në shqyrtim në asnjë organ të Kuvendit pa kaluar 2 javë nga momenti i depozitimit", vijoi Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka folur për mediat pas daljes nga mbledhja me krerët e grupeve parlamentare në Kuvend.
Ai ka kundërshtuar miratimin e propozimit të kryeministrit Rama për ndryshim të rregullores duke pretenduar se ligjërisht minimumi duhet të respektohet afati 1 javor i parashikuar në rregulloren aktuale për ndryshim.
“Kërkuam që edhe formalisht të respektohet rregullorja, Kushtetuta, por u gjendëm përballë vendosmërisë të kryetarit të ri të parlamentit, të kryetarit të grupit parlamentar të rilindjes që janë të vendosur për të shkelur Kushtetutën me të dyja këmbët duke kaluar në seancën e nesërme ndryshime të rregullores, ku qartësisht rregullorja parashikon që ndryshimi i rregullores kërkon një afat të përcaktuar prej të paktën 2 javë. Dhe në procedurë të përshpejtuar duhet respektuar të paktën afati 1 javor.
Po kërkojmë konsensus mbështetur në atë që parashikon rregullorja.
Ajo që kundërshtojmë ne është që Edi Rama kërkon ta a trajtojë Kuvendin si noter të vendimeve të tij të paligjshme”, tha Blushi.
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh sot për herë parë pas fillimit të legjislaturës së re në Kryesinë e Kuvendit. Mbledhja me dyer të mbyllura nisi në orën 10:00, zgjati rreth 1 orë dhe u drejtua për herë të parë nga Taulant Balla, i emëruar nga Rama kreu u grupit parlamentar.
Në fokus të kësaj mbledhje ishte ndryshimi i rregullores së Parlamentit për riorganizimn e komisioneve parlamentare, një strukturë e re kjo që u propozua nga kryeministri Rama në mbledhjen e Asamblesë së Partisë Socialiste më 11 shtator.
Kryeministri Edi Rama ka dhënë mesazhet e tij si dhe urimet referuar dhe se kjo është mbledhja e parë zyrtare pas betimit në Kuvend dhe marrjes së mandateve.
Komente













Nje ndarje perfekte, per çfar e do opozita integrimin per te share Shqiperine dhe qeverin ? Nuk ka me lodra fjalesh duhet te ndergjegjesohet ky grupim opozitar .Vetem qorrat dhe antishqiptaret shajne Shqiperia ka ndryshuar ne te gjitha drejtimet
Përgjigju