Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Prishtinë, ku takoi drejtuesit kryesorë të institucioneve të Kosovës. Në qendër të bisedimeve ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe koordinimi politik në një moment të rëndësishëm për rajonin.

Në takimin me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u fol për nisjen e legjislaturës së re dhe për rritjen e bashkëpunimit parlamentar. Dy palët theksuan nevojën për më shumë shkëmbime mes komisioneve parlamentare, grupeve të deputetëve dhe administratave të dy Kuvendeve, si dhe për përafrimin e legjislacionit në funksion të integrimit europian. Peleshi përshëndeti edhe rezolutën në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke theksuar rëndësinë e një procesi të drejtë dhe të paanshëm.

Me presidenten Vjosa Osmani, u diskutua për pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe përpjekjet për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare e rajonale. Peleshi rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë në këto procese, si dhe për synimin e Kosovës për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian dhe për t’u anëtarësuar në NATO. Në takim u vlerësua edhe orientimi pro-evropian i Kosovës dhe përputhja me politikën e jashtme të BE-së.

Ndërsa në takimin me kryeministrin Albin Kurti, fokusi ishte te thellimi i bashkëpunimit dypalësh në ekonomi, politikë dhe koordinim rajonal. Peleshi dhe Kurti riafirmuan mbështetjen për dialogun KosovëSerbi, të lehtësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-të, me synimin për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare të bazuar në njohje të ndërsjellë.

Palët vlerësuan se heqja e masave kufizuese nga BE-ja ndaj Kosovës është një hap pozitiv për avancimin e mëtejshëm të agjendës euroatlantike të saj. Vizita e Peleshit në Prishtinë u konsiderua si një moment për të forcuar më tej dimensionin mbarëkombëtar të bashkëpunimit dhe për të dërguar një mesazh stabiliteti dhe partneriteti në rajon.