Peleshi prezanton Xhaçkën si kandidate për deputete në Kolonjë: Synojmë 7 mandate në qarkun e Korçës (VIDEO)

Partia Socialiste synon të marrë një rezultat surprizues në qarkun e Korçës në zgjedhjet e 25 prillit me 7 mandate të fituara.

Ky është objektivi i shpallur nga drejtuesi politik i qarkut, njëherësh Ministër i Mbrojtjes Niko Peleshi, gjatë takimit prezantues të kandidates Olta Xhaçka në bashkinë e Kolonjës. Duke vlerësuar përvojën politike, por edhe cilësitë e kandidates që është renditur e pesta në listën e kandidatëve, Ministres për Europën e Punët e Jashtme,  Peleshi tha se “është një vlerësim që Partia Socialiste dhe kryetari i saj, Edi Rama i bën qarkut të Korçës e për më tepër Kolonjës”.

“Lista e këtij viti ka prurje të reja që personifikojnë filozofinë e hapjes që na ka shoqëruar në të gjitha këto vite të demokracisë, me emra jo të njohur për të gjithë Shqipërinë, por në lokalitete ku jetojnë e punojnë. Duam të japim mesazhin e mikpritjes për të gjitha kontributet e listave tona. Nuk i fillojmë listat këtë herë me emra të njohur, sepse nuk duhet të tregojmë se kemi një tavan ku në rast se do të rritesh përplasesh. Jo ne nuk e kemi këtë. E kemi rrugën e hapur për të gjithë ata që punojnë me ndershmëri, arrijnë sukses në fushën e tyre dhe më pas i ftojmë të bëjnë karrierë në Partinë Socialiste, në Parlament apo në të gjitha hapësirat që kemi. Ndaj edhe Olta dhe unë jemi respektivisht në vendin e pestë dhe të gjashtë të listës që është objektivi minimal bazik aq sa kemi sot. Ne synojmë drejt mandatit të shtatë. Unë çdo ditë e më shumë bëhem optimist që nuk është edhe aq maksimalist si objektiv, sepse kudo që shkojmë kemi një atmosferë shumë pozitive për ne”, u shpreh ministri Peleshi, gjatë takimit me strukturat në Kolonjë.

Nga ana e saj, ministrja Olta Xhaçka, duke vlerësuar prezantimin e drejtuesit politik të qarkut, por edhe mikpritjen në zonën ku ajo rikthehet për të kandiduar deklaroi  “Ndihem vërtetë e përulur përballë fjalëve të mira që tha Niko, por edhe përballë jush për mikpritjen për të bërë të pamundurën, si tani në fushatë, por edhe pas fitores, e cila do të kalojë pritshmëritë”

Kryetari i bashkisë së Kolonjës Erjon Isai tha se është krenari që tashmë në botë Shqipëria do të prezantohet me Ministren e jashtme, por edhe me deputeten e Kolonjës.

Drejtuesi politik i qarkut Niko Peleshi garantoi se investimet e nisura nga qeveria në këtë zonë siç është edhe loti i dytë i rrugës Korçë-Ersekë do të vijojë, duke përgjysmuar kohën për ta lidhur këtë zonë me jugun e vendit. Kryetari i bashkisë së Kolonjës vuri në dukje faktin që kjo bashki është e para që në fund të vitit 2021 do të ketë në 100 përqind të territorit të saj 24 orë ujë.

J.GJ./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Era e fortë në Lezhë, mbesin pa energji elektrike disa zona! Mjeteve të vogla të peshkimit iu kërkohet të mos dalin në breg

Era e fortë në Lezhë, mbesin pa energji elektrike disa zona! Mjeteve të vogla të peshkimit iu kërkohet të mos dalin në breg