Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovksi, po qëndron për një vizitë zyrtare në Beograd, ku ka takuar homologun e tij, Aleksander Vucic, me të cilin kanë diskutuar një sërë çështjesh bilaterale por gjithashtu edhe rreth zhvillimeve në rajon.
Në këtë takim është diskutuar edhe për iniciativën e “minishengenit” për të cilën Pendarovski i ka thënë Vuçiqit se duhet ta përfshijë edhe Kosovën pa ia paragjykuar statusin, raporton Gazeta Express.
“Do të ishte mirë sikur i gjithë Ballkani Perëndimor të ishte në shengenin e vogël”, ka thënë Pendarovski, shkruan RTS.rs, transmeton Gazeta Express.
Presidenti maqedonas thotë se një nismë e tillë duhet të përfshijë edhe Republikën e Kosovës.
“Nisma nuk i përfshin gjashtë shtetet, kur them këtë nuk dua të ndërhyj në raportet Beograd-Prishtinë, por mendoj që duhet gjetur një zgjidhje që Bosnja e Hercegovina dhe të tjerët t’i bashkohen kësaj iniciative. Vetëm në këtë mënyrë do të përfitojmë, pa e paragjykuar statusin e Kosovës”, ka shtuar tutje Pendarovski.
Ndër të tjera ka thënë se çfarë vendosin Prishtina dhe Beogradi është punë e tyre.
Sipas Pendarovskit, nëse një shtet nuk dëshiron të hyjë në “minishengen” atëherë është në rregull, duke shtuar se nuk duhet të përfshihen në një iniciativë të tillë nga ndonjë detyrim i jashtëm.
Në fund, Pendarovski ka thënë se ideja për krijimin e një minishengeni nuk është për të zëvendësuar Bashkimin Evropian.