Pengesat me të cilat ndeshen Lojërat Olimpike të Pekinit

Pengesat me të cilat ndeshen Lojërat Olimpike të Pekinit

Lojërat Olimpike të Pekinit marrin pjesë 90 vende, në një total prej 109 aktivitetesh në 15 disiplina të ndryshme sportive. Në Pekin, zyrtarët olimpikë kanë vendosur protokolle të rrepta për të parandaluar përhapjen e COVID-it. Biletat nuk do t'i shiten publikut.

Pekini ka njoftuar një sistem me qark të mbyllur, ku atletët dhe personat e tjerë të përfshirë me Lojërat Olimpike do të punojnë, konkurrojnë, do të hanë dhe flenë, pa patur kontakt me publikun e gjerë. Të gjithë pjesëmarrësit e vaksinuar mund të lëvizin lirisht në zonat e caktuara për lojërat nëpërmjet një sistemi transporti të dedikuar. Atletët e pavaksinuar do të duhet të kalojnë 21 ditë në karantinë përpara lojërave. Pjesëmarrësit vendas dhe ndërkombëtarë do të testohen çdo ditë.

Por COVID-19 nuk është pengesa e vetme për Lojërat Olimpike të Pekinit. Sipas gazetës "The Washington Post", një koalicion aktivistësh kanë kërkuar bojkotimin e lojërave që i kanë quajtur "#2022Genocide Olympics", për shkak të trajtimit nga Kina të ujgurëve dhe minoriteteve të tjera etnike në provincën Xinjiang.

"Administrata Biden nuk do të dërgojë përfaqësues diplomatikë ose zyrtarë në Lojërat Olimpike Dimërore 2022 dhe në Lojërat Paraolimpike për shkak të gjenocidit dhe krimeve të vazhdueshme ndaj njerëzimit në Xinjiang dhe abuzimet e tjera me të drejtat e njeriut", tha Jen Psaki, Sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë.

Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme Wang Wenbin kritikoi politizimin e Lojërave Olimpike të Pekinit.

"Sporti nuk ka të bëjë fare me politikën. Olimpiket janë një takim i madh i shumë atletëve dhe tifozëve të sportit, jo një skenë për qëndrime politike", tha ai.

Megjithë denoncimin global ndaj abuzimit të Pekinit me të drejtat e njeriut, as Komiteti Ndërkombëtar Olimpik dhe as NBCU, transmetuesi ekskluziv i këtyre lojërave në SHBA, nuk përballen me Pekinin, thotë Andrew Zimbalist, profesor i ekonomisë në Kolegjin Smith.

"Të gjithë kanë investime masive në këto lojëra, dhe duan që të dalin mirë. U duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin", thotë ai.

Profesor Zimbalist, i cili ka botuar disa libra për ekonominë e Lojërave Olimpike, thekson se Kina ushtron influencë të madhe në tregjet ndërkombëtare, të cilat nuk duan ta provokojnë Pekinin.

"Nga njëra anë janë tregjet si Shtetet e Bashkuara, ku popullsia dëshiron që të përdoret një gjuhë dhe të ndiqen politika në përputhje me vlerat njerëzore. Nga ana tjetër është një vend që i shkel këto vlera. Por u shesim çdo vit mallra me vlerë 15 miliardë dollarë, ose kemi investime si partnerë në disa prej aktiviteteve të tyre. Pra manovrimi mes këtyre dy gjërave është delikat, por kompanitë lëshojnë pe në mënyrë që ta kenë Kinën në anën e tyre", thotë profesor Zimbalist.

Sipas Variety.com, transmetuesi "NBCU po përballet me një sfidë të madhe për të tërhequr vëmendjen drejt këtij aktiviteti", jo vetëm për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut nga Kina, por edhe sepse gjashtë muaj pas Lojërave Olimpike në Tokio, spektatorët po kalojnë një lloj lodhjeje me Lojërat Olimpike.

"Pati qartazi rënie të shikueshmërisë në Tokio... kurdo që Lojërat mbahen në ndonjë pjesë tjetër të botës dhe jo në Shtetet e Bashkuara, kjo do të thotë se për shkak të ndryshimit të orës nuk ndiqen drejtpërsëdrejti. Nuk ekziston dëshira për të marrë vesh rezultatin e diçkaje që ka ndodhur 12 orë më parë", thotë Profesor Zimbalist.

Megjithatë, ai thotë se shumica e shikuesve nuk mbartin me vete një perceptim politik kur i japin përgjigje pyetjes nëse do t'i ndjekin Lojërat Olimpike. Ai thotë se i ndjekin për shkak të kënaqësisë që japin Lojërat Olimpike, konkurencës dhe ekipeve për të cilët janë tifozë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja