Tiranë, 3 Shkurt /ATSH/.- "People-Njerëz"  eshte ekspozita e dytë që çelet në ambjentet e galerisë Kalo,  me rreth 50 vepra arti, prej të cilave 40 piktura dhe 10 skulptura,  pjesë e koleksionit të "Fondacionit Kaloart".
Të gjitha veprat kanë një element të përbashkët - njerëzit që shprehin thjesht ndjenjat e qëndrimet e tyre, thjeshtësinë, dashurinë, urrejtjen, dëshirën e gatishmërinë për t'i dhënë shoqërisë.
Përzgjedhja e veprave të ekspozitës 'Njerëz',  e bën të thjeshtë komunikimin e admiruesve të artit dhe vizitorëve të galerisë.
Ata dhe të tjerë nuk ka nevojë të rreken shumë për të gjetur temën që mund të fshihet pas seicilës vepër apo të analizojnë në mënyrë të hollësishme kohën e rrethanat e realizimit të veprës, kurajën ose ndrojtjen e artistëve në paraqitjen e qenies njerëzore, herë me muskuj e herë me pamje ekstravagante.
Faktikisht, të gjitha këto 'mikro' tema janë të përfshira në temën e madhe njerëz. Ajo është njëkohesisht e shumëllojshme në ngjyra, teknika dhe situata, në të shumtën e rasteve fare spontane e të zakonshme, që në të vërtetë krijojnë një varg të madh karakteresh - çdo njëri prej tyre i bukur në vetvete.
E rëndësishme është që të përdorim sytë e mendjet tona që ti zbulojmë dhe shohim bukuri të tilla.
Sic thoshte Henri Matisse: "Ka gjithmonë lule për ata që duan t'i shohin ato" shkruan Suzana Varvarica Kuka studiuesja e artit në përshkrimin që i bën ekspozitës
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri  15 shkurt  ne  Tiranë ne Rr, Ibrahim Rugova Nr. 1
/k.m/f.n/