PEQIN - Rreth 4 mijë rrënjë kanabis sativa janë gjetur ditën e sotme në bodrumin e një magazine në fshat Kurtaj të Peqinit.

Sipas policisë, banesa i përket Bilal Hasës, i cili është Drejtor i Burgut të Rrogozhinës. Pasi u shpall në kërkim nga blutë, Hasa u vetëdorëzua në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan.

Në dëshminë e tij, Hasa ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e paligjshme të zbuluar në magazinën e tij. Mësohet se ai ka këmbëngulur se prej disa muajsh nuk ka shkuar në atë objekt dhe se nuk ka pasur dijeni që aty kultivohej kanabis.

Në komunikatën zyrtare të policisë thuhet se "gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine, u konstatuan 2 ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave".

"Nga veprimet hetimore rezultoi se ambienti është në pronësi të shtetasit B. H., i cili u shpall në kërkim", njofton policia, e cila shton se "në vijim të veprimeve, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit".

Në ambientet në pronësi të Hasës u gjetën dhe u sekuestruan rreth 4 mijë bimë kanabisi, si dhe pajisje të ndryshme elektrike, përfshirë llamba dhe neonë.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se ka pezulluar nga detyra Hasën, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet kompetente.

lajm në përditësim...

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:22
Iu gjetën 4 mijë rrënjë kanabisi në magazinën e tij, MOMENTI kur Drejtori i Burgut të Rrogozhinës vetëdorëzohet në polici (VIDEO)

Report Tv ka siguruar videon e momentit kur Drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, u vetëdorëzua në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, pasi u shpall në kërkim nga blutë. Në një magazinë në pronësi të tij në fshatin Kurtaj në Peqinit, policia gjeti sot rreth 4 mijë rrënjë kanabis.

Ora 17:15
VIDEO nga magazina me kanabis e Drejtorit të Burgut të Rrogozhinës! Momenti kur blutë mësyjnë në 'arën' me narkotikë

Rreth 4 mijë rrënjë kanabis sativa janë gjetur ditën e sotme në bodrumin e një magazine në fshat Kurtaj të Peqinit.

Sipas policisë, banesa i përket Bilal Hasës, i cili është Drejtor i Burgut të Rrogozhinës. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga blutë.