PEQIN - Krimi brenda familjes këtë herë ka shënuar viktimën e radhës në fshatin Paulesh të Peqinit ku 33-vjecari, Elton Brahja është ekzekutuar më armë zjarri nga babai u tij 70-vjecari Ismail Brahja.

Krimi ka ndodhur brenda në banesën e familjes Brahja mbrëmjen e së martës, ndërsa kryefamiljari është vetëdorëzuar në polici menjëherë pas ngjarjes.

“Djali ishte bërë I dhunshëm, po keqtrajtonte nënën e tij dhe mendova se do ta vriste për këtë arsye u detyrova të ekzekutoj tim bir”- Kështu ka pohuar përpara hetuesve 70-vjecari i arrestuar i pyetur për këtë ngjarje të rëndë që tronditi banorët e zonës, të cilët refuzojnë ta komentojnë atë përpara kamerave.

Skena e krimit ka ndodhur edhe në sy të nënës së 33-vjeçarit, i cili sipas burimeve pranë policisë prej kohësh kishte shfaqur problem me depresionin.

Mësohet se në familje prej ditësh kishte konflikte mes prindërve dhe të riut, i cili prej një periudhe të gjatë ishte edhe i papunë.

Debateve u erdhi fundi mbrëmjen e së martës kur 70-vjeçari më një pistoletë tip TT vendosi t’i japë fund jetës së të birit duke shkatërruar në këtë mënyre edhe familjen e tij.

Grupi hetimor ka mbërritur me urgjencë në vendngjarje dhe po mbledh prova për zbardhjen e dinamikës së plotë të kësaj ngjarje të rëndë.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)