Në kuadër të mbledhjes së qeverisë në Elbasan, gjatë një inspektimi që ka zhvilluar në Zyrën e Vendore të Regjistrimit të pasurive në Peqin, ministrja Gjonaj ka shpërndarë disa certifikata pronësie për qytetarët, të cilët ishin zvarritur prej kohësh pa asnjë arsye.

Ministrja e Drejtësisë ka deklaruar se koha e zvarritjeve burokratike për qëllime korruptive ka përfunduar, ndërsa ka ftuar qytetarët që të denoncojnë në të gjitha kanalet e komunikimit të qeverisë çdo rast abuzimi që do të vërejnë nga ana e nëpunësve të ZVRPP.

Në takimin me punonjësit e kësaj zyre Ministrja Gjonaj është njohur nga afër me problematikat e punës dhe ka dhënë orientime të qarta për të ulur kohëzgjatjen e trajtimit të dosjeve dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për qytetarët.

Ajo ka theksuar se duhet rikuperuar koha e humbur dhe duhet bërë më shumë në trajtimin e dosjeve që kanë mbetur të bllokuara për kohë të caktuara. Ministrja u shpreh e vendosur për të mos toleruar më asnjë shkelje të afateve ligjore nga çdo punonjës i ZVRPP, jo vetëm në Peqin, por në të gjithë vendin.

d.b/shqiptarja.com