Për ata që ndjekin një të vdekur të pakallur, si Sali Berisha

Për ata që ndjekin një të vdekur të pakallur, si Sali Berisha

Sali Berisha gjatë protestës së dhunshme të 8 janarit

Berisha vdiq. Jo biologjik isht, por politikisht, sado që edhe ashtu e kishte marrë udhën e Hadit. Shumë njerëz nuk janë çuditur nga kjo që i ndodhi. E prisnin, e njihnin, ishte çështje kohe, ia dinin “sëmundjen” e pashërueshme, aq më tepër pas “damkës” amerikane. Dhe kjo “vdekje” më në fund erdhi me sulmin mbi “Bastijën” e partisë së vet, një rast unikal ky në historinë botërore. Pra, lamtumirë, plaku Mere! E kam thënë edhe më parë në një artikull te “Panorama” në shtatorin e kaluar, sapo u shpall “i padëshirueshëm.”

Sot po shkruaj për ata që e groposën përfundimisht idhullin e tyre. Ata që e dinin që Berisha ishte “i vdekur” politikisht dhe megjithatë, iu bashkuan aksionit donkishotesk të tij kundër partisë së vet e kundër SHBA-së, duke e yshtur me hostenin e ligësisë në marrëzinë e tij të fundit. Herë nga “foltoret” televizive, herë nga ato të gazetave, aq të etura për “thagma” të tilla.

Po e filloj me politikanin, diplomatin dhe gazetarin Besnik Mustafaj, i cili e mbështeti aksionin humbës të Berishës kundër SHBAsë deri në minutën e fundit, para se ai të bënte marrëzinë ndaj godinës së Partisë. Daljet e tij të shpeshta nëpër televizione, shkrimet e herëpashershme kundër Bashës dhe pro Berishës (gjithnjë në emër të “lirisë së shprehjes”), i jepnin zemër këtij të fundit, e nxisnin të shkonte më tej në aventurë, në vetëvrasje, si kjo që i ndodhi. E bënin të mendonte që ja, “kam mbështetje”.

Besniku kishte pakënaqësitë e veta ndaj Bashës dhe kjo është normale. Mentori i listës së kandidatëve të partisë nuk mund të mbetej përjetësisht besnik, kur e pa veten vetëm si mentor. Por në politikë nuk shkohet sipas shprehjes: “Për inat të sime vjehrre, vete fle me Millonanë”. Mustafai nuk është i paditur, nuk është “gjindje pa shkollë”, është i bredhur, i lexuar, ka punuar gjatë në diplomaci, politikë, gazetari, e di se kush janë SHBA-të dhe cili duhet të jetë qëndrimi ndaj tyre, veçanërisht për ne shqiptarët. Nuk mund të kritikoj Flamur Nokën në këtë rast, sepse për të shkon shprehja popullore “aq di, aq bën”. Pra, ta gëzojë tani fatin e dishepullit të tij.

Genc Pollo, “mik për kokë” i Bashës deri në ditën e publikimit të listës shumemërore të deputetëve të PD-së, u inatos keq kur e pa veten “prapa liste”, si Lipe Shtogu. Atëherë mezi priti të humbasë partia në zgjedhje që të sulej ndaj mikut të djeshëm. U desh të fillonte “revolucioni” i Salës që edhe ky të reflektonte. Me një parti të dështuar kundër Berishës ca vite më parë, tani ra në prehrin e Berishës. Dhe Faiku faqe ndërron, dje shante, sot lëvdon.

I ndrojtur fillimisht si vëzhgues i “paanshëm” i “foltores”, filloi të trimërohej ca e nga ca prej saj, kur bëri nja dy inkursione nëpër “zijafetet” e organizuara në terren nga “i padëshiruari” i amerikanëve. Po vinte një rast i mirë për t’i ngritur këmbët qafirit Basha për atë që bëri me listat. Amerikanët? Të qërojmë hesapet me Bashën njëherë, të keqen më të madhe, pastaj këtu jemi, shohim e bëjmë. Sala është në buzë të varrit prej moshës, nuk do qëndrojë gjatë mbi dhe, do na lerë shëndenë. Dhe kështu, u bë edhe Pollo ideolog i “revolucionit paqësor” të “foltores” me vlerësime patetike për të.

Ai e di dhe e thekson edhe vetë në shkrimin e tij se çështja është në Gjykatë, por “gjykatat janë shumë të ndikuara nga qeveria socialiste edhe për shkak të procesit të vetingut në vazhdim” (“Panorama”, e hënë 10 janar). Prandaj ne “foltoristët” të sulemi e ta marrim vetë selinë, të mos presim Gjykatën, ta bëjmë fakt të kryer me vetëgjyqësi. Çfarë logjike intelektuale që hidhet edhe në gazetë dy ditë pas asaj që ndodhi! Po sikur Gjykata të thotë pas një jave që referendumi ishte i paligjshëm, çfarë do të thotë atëherë zoti Pollo?

Jozefina Topalli, e përkëdhelura e Berishës për tetë vjet si Kryetare e Kuvendit, u bë bishë me Bashën kur ky e la jashtë listave të deputetëve. T’i vëmë “gjoksin” betejës pra. Topalli bëri një partiçkë të re dhe hyri në zgjedhjet e fundit ku fitoi … asgjënë. As në qytetin e saj nuk e qasën. Shkodranët ia dinin mirë bëmat kur kishte qenë në pushtet dhe prandaj e lanë me gisht në gojë. Kishte të drejtë Basha, pra, që e kishte lënë “prapa derës”

Atëherë, Topalli u hodh në aksionin e Salës. Edhe pse nuk merrte pjesë fizikisht nëpër “foltore” në terren, ishte në çdo “foltore” televizive duke sharë Bashën e duke nxitur Berishën në marrëzinë e tij. Ajo e dinte që nuk bëhej luftë me Amerikën. E kishte aq tru, nuk ishte dru fare. Kur ishte kryetare Kuvendi, kishte vizituar Kapitolin dhe kishte takuar atje Nancy Pelloshin, Kryetaren e Kongresit Amerikan, edhe sot në atë detyrë. Ajo e dinte, pra, kush janë SHBA-të për Shqipërinë. Megjithatë, mbeti çdo natë në televizor duke shtyrë Berishën me hosten drejt greminës ku përfundoi. Ia paftë hajrin. “Burri ka kohë me e koritë vedin”, thonë shkodranët. Edhe gruaja, po ashtu.

Tritan Shehu ose: “halli – hallit nuk i ngjan”. Ky u emërua deputet në moshën 73- vjeçare me firmën e Bashës në zgjedhjet e fundit, duke sjellë probleme në PD-në e Gjirokastrës e duke krijuar pakënaqësi të mëdha te demokratët e atjeshëm për kandidaturën e padenjë të vënë në krye të listës së partisë. Ky është një rast i veçantë i “të pakënaqurit” nga Basha, pra, është “sui generis”. Këtu është vendi t’i thuhet Bashës: “E qelbe, kryetar! Mbaji erë tani, me këtë zgjedhje që bëre për Gjirokastrën”. Reanimatori i dikurshëm që deklaron si pasuri një duzinë apartamente, dyqane, garazhe etj., të vëna “me djersën e ballit” dhe jo me kontribute nga firma “Shqiponja”, (pa përmendur ato të padeklaruarat) sapo u shpall deputet, e la vrapin te “foltorja”. (Kur do fillojë vetingu i politikanëve?) Hajde merre vesh pastaj. Nuk po merrem me emra të tjerë të “foltores”, se nuk ia vlen, kaq mjaftojnë. Të tjerët janë kopje të tyre, të hapin barkun t’i përmendësh. Me Ristan e stan me lepuj. Brashnjarë të të gjitha llojeve, bashkohuni.

Asnjeri prej këtyre që “vdesin” nga dashuria për Berishën, nuk i tha atij: “Doktor, mjaft tani. Hiqu mënjanë e shiko pleqërinë. Pensionin e ke të mirë, edhe 170 mijë euro kesh i ke mënjanë në llogari nga kursimet, siç e ke deklaruar vetë, që i ke vënë me djersën e ballit dhe rro deri sa të të lërë perëndia”. Kështu do ta harrojnë edhe të tjerët damkën që të vunë amerikanët në pleqëri. Nuk bëhet luftë me Amerikën, harroje! Asnjeri prej këtyre pra, nuk ia tha këto. Përkundrazi, i përkëdhelën sedrën e sëmurë të luftëtarit antiamerikan kalorësit të vrerosur. Berisha edhe mund të mos i kishte dëgjuar, se i tillë është gatuar ai, nuk ndryshon njeriu në pleqëri, por të paktën nuk do kishte marrë zjarr aq shumë saqë t’i sulej “kështjellës” së SHQUP-it me urën e zjarrit në dorë. Ata e dinin që po e çonin Berishën në groposje, megjithatë e bënë me vetëdije për llogari të tyre.

Ditën e “sulmit final” mbi bedenat e SHQUP-it, më tetë janar, ata nuk ishin atje, nuk u dukën as pranë portës së jashtme e ngrehinës. Mundet që kjo punë të jetë me zarar, prandaj, larg prej atje. Atë ditë të sulmit mbi “kështjellën” e partisë u fshehën nëpër vrima dhe prisnin vetëm që ajo të binte para hordhive, e pastaj do të dilnin në skenë ata, ideologët e “foltores”. Ata e dinin se çfarë do të ndodhte, pra mund të hanin edhe vetë ndonjë çomange pas koke. Gazi lotsjellës nuk është melhem për moshën e tyre jo fort të re. Prandaj prisnin në “guvat” e ngrohta të vilave të tyre me postiqe duke parë me binokël nga frëngjitë e televizioneve se kur do të binte “kështjella” buzë Lanës.

Atëherë ata do të suleshin për të rrëmbyer kockën e tyre nga kërma e “revolucionit” berishian. Kemi luftuar edhe ne. Pastaj do të vraponin nëpër televizionet “krejtësisht të pavarura” (nga paratë e Beketit) të bënin “analizat dhe deduksionet e revolucionit paqësor” mbi kështjellë. Ata do të merrnin për këtë shërbim “aferim”–et e Doktorit për kontributet “teorike” që kishin dhënë në revolucion. Ata i kishin krehur bishtin kryqëzatës së “foltores” muaj me radhë nëpër ekranet televizive dhe artikujt e gazetave, ndaj e meritonin shpërblimin.

Këta u bënë me Berishën jo se u dogjën për të, u duhej vetëm “plaçka” e PD-së për vete. Heqja e Bashës nga partia u hapte rrugën për të futur duart në atë që kishte mbetur në parti dhe që Basha ua kishte refuzuar. E gëzofshin këtej e tutje! Tani janë në pritje të ditëve më të mira për ta. Le t’u çojnë të paktën nga një paketë cigare atyre dhjetëra militantëve axhaminj që përfunduan në qeli në emër të idealit të “foltores”.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Spin Doctor...: 16/01/2022 12:29

    Tamam keshtu ,me pike e me presje.Te lumte pena! Dhe rrojne ata mire dhe Viciolasi better! Dhe te mos harrojme se nga "foltoret" e Televizioneve e pa live kete skene e ne pergjithesi kriengritjen "paqesore" me hunj,shkopinj,vare,thika ne duar,shkalle e mjete te tjera per thyerjen e dyerve "blindato" etj etj kunder selise se partise "demon-kratikase" edhe Arben Kraja,edhe prokuroret e tjere te SPAKUT,pa le me prokuroret e shume te ketij vendi...I pameshirshem po tregohet SPAKU ndaj politikaveve "paqesore" te PD-se e te tjere qe tallin bythen me ligjet e ketij vendi!U ka vene shkelmin ne qafe si ai polici ne USA ndaj demonstrusit me ngjyre,Xhorxh Floid,i cili e la frymen e fundit nen cizmen e policit.Te njejten gje po ndjen dhe Berisha nga SPAKU! ,pa le me Metaj,i cili duke e ndjere veten keq dhe frymen e SPAKUT ne zverk po planifikon te kundervihet duke shtuar dhe ca llogarine e tij familjare bankare,me ndihmen e "Zonjes se pare te tij,me nje cizme,se cizmen tjeter e ka sakrifikuar kur e hodhi kunder Edi Rames...,per te vene demokracine ne vend ne menyre "paqesore"!Cudira shqipare keto! Dhe te themi se organet e reja te drejtesise me SPAKUN ne krye po u shkon lodren politikaneve me rekorde kriminale,me te parin ne krye te listes Berishovicin! Bravo!Prokuror do ishte mire te ishte nje njeri si gazetari kosovar Imer Mushkolaj dhe jo nje teleshikues i ngjarjeve indiferent apo "i kapur"!??

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë