PRISHTINË, 15 Nëntor/ATSH/.- Festivali ndërkombëtar i filmave për bjeshkët "Reel Rock Tour", është duke u zhvilluar për herë të parë edhe në Kosovë.
Sipas KosovaPress, kjo ngjarje ka filluar sot në qytetin e Pejës, ku edhe është bërë hapja solemne. Reel Rock Tour, është një ngjarje me origjinë amerikane që zhvillohet çdo vit në shumë vende të botës.
Organizimin në Kosovë, e ka mundësuar mbështetja e Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe sponsorë të tjerë.
Në një njoftim për media, thuhet se në hapjen e këtij festivali, drejtori i Festivalit Birol Urcan, ka thënë se ky organizim përputhet në mënyrë të natyrshme me Pejën, për shkak të traditës së bjeshkëtarisë dhe bukurive natyrore.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka pohuar se kjo ngjarje është shumë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit në komunën e Pejës.
"Ne e konsiderojmë turizmin si një ndër sektorët prioritarë për zhvillimin ekonomik në Komunën e Pejës, sepse Peja me bukuritë natyrore që ka, përbën një ndër atraksionet e rralla për turizëm në Kosovë dhe më gjerë", ka shtuar Kryetari Muhaxheri.
Reel Rock Tour organizohet nga klubi i ngjitjes "Marimangat e Pejës" dhe "Hiking Njeri" ku gjatë dy ditëve do të organizohen shëtitje në shtigjet rreth Pejës, në Via Ferrata 'Ari' dhe do të diskutohet për zhvillimin e sporteve të aventurës, si mundësi e zhvillimit të turizmit në qytetin afër Bjeshkëve të Nemuna.
Në ditën e parë në Reel Rock Film Tour, është shfaqur filmi i shumëpritur "Valley Uprising" që është një tregim i pathënë më parë për bjeshkët amerikane 'Yosemite'./m.m/







