TIRANE- Të gjesh një vend në varrezat e Sharrës po kthehet çdo ditë e më shumë në një mision të pamundur. Kur janë përdorur të gjitha hapësirat e caktuara nga Bashkia e Tiranës, ka ardhur koha të përdoret dhe çdo hapësirë e lirë duke përfshirë rrugë, trotuare dhe hapësirë boshe në këtë varrezë. Alarmi i ngritur prej kohësh nga vetë punëtorët e kësaj varreze për mungesën e hapësirave të lira, ende nuk ka marrë një zgjidhje nga Bashkia e kryeqytetit.

Ata që e vuajnë më shumë këtë situatë janë banorët e Tiranës, të cilët janë duke përdorur nga zgjidhjet më të çuditshmë për të respektuar deri në fund dinjitetin e të dashurve të tyre. Shumë prej qytetarëve, në kërkim për të gjetur një hapësirë të lirë në varrezën e Sharrës, u duhet të paguajnë shuma të konsiderueshme. Ata që nuk i kanë mundësitë financiare për të blerë një hapësirë, zgjedhin të bëjnë zhvarrimin e ndonjë të afërmi të mëparshëm për të përdorur sërish të njëjtën hapësirë.

Një prej punonjësve në këtë varrezë tregon për Shqiptarja.com se nuk është e largët dita kur në varrezat e Sharrës të mos ekzistojë më asnjë rrugë dhe trotuar, pasi çdo hapësirë e mundshme po përdoret. Kur në varrezat e Sharrës po konsumohen edhe metrat e fundit, qindra metra katror tok, që gjenden jo larg këtyre parcelave, ende nuk janë përdorur pasi janë në pronësi të banorëve të zonës. Bashkia e Tiranës nuk ka caktuar ende një fond për blerjen e kësaj hapësire të lire, e cila do të shtynte edhe pak në kohë, por që kurrsesi nuk do ishte zgjidhje për këtë problem. Të bindur se ditët e tyre të punës janë të numëruara njësoj si edhe hapësirat e pakta në këtë varrezë, punëtorët vazhdojnë të zbatojnë urdhrat, të cilat jo në pak raste u duken absurde. “Ne hapin varre dhe bëjmë detyrat që na caktohen nga eprorët tanë, s’na takon ne të përcaktojmë hapësirat e duhura”, tregon për Shqiptarja.com njëri prej tyre.

Kostoja për një varr

Mungesa e hapësirave të lira dhe nevojat e qytetarëve për të siguruar një varr kanë bërë që këto pak hapësira të mbetura, edhe pse të papërshtatshme, të krijojnë mundësi abuzivizmi. Tashmë prej kohësh rruga që duhet ndjekur për të shkuar nga qytetari deri te punonjësi i Bashkisë që administron hapësirat në varrezat e Sharrës, zgjidhet me ndërmjetsimin e “agjentëve” të caktuar të agjensive funerale. Nëse dikujt i duhet një varr për të afërmin e tij që ka ndërruar jetë, duhet më parë të negociojnë me pika të caktuara të agjensive funerale.

Këta të fundit janë ata që bëjnë ndërmjetsimin me punonjësit e Bashkisë për të siguruar një varr, veprim që sigurisht përfshin edhe një kosto financiare e cila paguhet nga qytetari. Sipas informacioneve të marra nga Shqiptarja.com për të siguruar një varr në varrezat e Sharrës një qytetari i duhet të paguaj rreth 50 mijë lekë të rinj, duke përjashtuar këtu pagesat që duhen bërë ndaj agjensisë funerale për shërbimet e kryera prej saj. Ky “treg” i monopolizuar tashmë po shton çdo ditë e më shumë kostot e tij, duke qënë se hapësirat e lira çdo ditë e më shumë po pakësohen. Shuma që një qytetar duhet të paguaj që nga gjetja e një varri dhe shërbimi që i detyrohet agjensisë funerale varion nga 150.000-200.000 lekë.

Projekti

Bashkia e Tiranës pak muaj më parë bëri me dije se zgjidhja e vetme për mungesën e hapësirave të lira për varrezat e kryeqytetit, ishte ndërtimi i varrezave murale. Por edhe pse kanë kaluar muaj që nga publikimi i këtij projekti ende nuk ka filluar puna për zbatimin e tij. Sipas Bashkisë së Tiranës ky projekt do të kushtonte rreth 297 mln leke dhe do të përfshinte rehabilitimin dhe zgjerimin e varrezave ekzistuese të Tufinës dhe Sharrës. Pjesë e rëndësishme e këtij projekti, që mendohej edhe si zgjidhje përfundimtare e mungesës së hapësirave të lira në dy varrezat e kryeqytetit, përfshinte ndërtimin e varrezave të reja murale.


 Shkrimi u publikua sot (08.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)