E kam lexuar me cinizmin e pabesisë së vërtetësisë, presionin e turpshëm adresuar studentëve të Mjekësisë, shantazhit të paprecedentë dhe trysnisë intimiduese që si paradoks don-kishotesk, nuk ka target ndonjë shtresë vulnerable, por vetë elitën e vendit. Mjekët, janë etaloni, nderi, aseti, plejada, krenaria e pasuria absolute e Shqipërisë! S’ka asnjë autoritet, asnjë të vetëm, që sadopak i afrohet dinjitetit e integritet të mjekut, harrojeni! Në një momentum si ky, ku vagonat social po udhëhiqen nga lokomotiva e antivlerave, t’u drejtohesh në imperative të vetmit trup intelektual në vend, është dramë komike, estradë kolektive! Vendimi diktatorial është i turpshëm, por edhe më i shkretë, është suporti mbarëpopullor nga gjithologët e internetit. Shumë te nderuar, qytetarë të Republikës së Shqipërisë, janë mjekët pa ka elitë ky komb! Nuk gjykohet nga poshtë-lart, por vice-versa! Ndaj, heshtni, kursehuni, stepuni, zbrapsuni se jeni embrione përballë gardës intelektuale të vendit! Mjekët, himni frymëzues i Shqipërisë…

Një doktoreshë/doktor është padyshim, autoriteti më i lartë profesional, si i tillë duhet respektuar e trajtuar në terma absolut. Trajektorja e jetës së një mjeku ndërtohet mbi plane e itinerare mjaft sfiduese, nuk është një udhëtim i lehtë, as i zakonshëm, as për çdokënd, sigurisht. Prej çerdhes e deri në marrjen e licensës së mjekut, apo konsolidimit si specialist, janë 22 vite jete dedikim, përkushtim, lodhje, sforcim, lotë të derdhur e buzëqeshje të kushtëzuara, sepse dallga e rradhës jo gjithnjë lehtësohet. Asnjëherë nuk e di, nëse pas stuhisë vjen qetësia! Një proces i vijueshëm, si labirinth aftësimi, ku e vetmja siguri është progresi i vijueshëm, sepse të mjaftohesh nuk mundesh, shkenca avancon, por në fakt, me një ritëm më intensiv, thellohen ambiciet dhe ëndrrat e mjekëve. Kjo e fundit, është inspirimi më emocional i shoqërisë sonë! S’është asnjëherë e mjaftueshme të lobohet, për mjekët, për kushtet ku kryejnë detyrën e tyre fisnore, të cilat ndonëse ndjeshëm të përmirësuara vitet e fundit, mbetet ende shumë për t’u bërë.

 Propagandohet nga njerëz me a pa dijeni (në këtë vend edhe ata pa informacion japin bindshëm sigurinë e tyre në saktësi gjykimi) se mjekët marrin miliona, kështu nuk është, por edhe sikur të jetë, a ka vlerë mometare që kompenson orët e tejzgjatura, natën a ditën, vështirësinë e diagnozës, algoritmin e trajtimit, disponibilitetin 24/7 se s’mund ta braktisësh pacientin nëse edhe jashtë orarit kërkon ndihmën tënde, shtrohet pyetja retorike. E pra qytetarë e udhëheqës, ja që puna e mjekut s’është si e gjithkujt, shumë ndryshe madje. Impenjimi i nevojshëm deri në finalizimin e titullit doktor, u jep mjekëve çdo vlerë superiore në këtë shoqëri a tjetërkund, ndaj nuk urdhërohet pasuria e kombit, por motivohet, nuk gjobitet, por duartrokitet, nuk i ushtrohet presion, por i jepet merita, nuk kufizohet, por suportohet.  E vetmja qasje e qytetarëve të Shqipërisë kundrejt studentëve apo mjekëve të sotëm, është përulja, me shumë nder madje.

Sa e turpshme, t’iu drejtohesh mjekëve, me pretendimin mjeran se arsimimi i tyre i kushton buxhetit të shtetit 5 mijë euro. E dini sa është kostoja e një studenti mjekësie? Zero, zero, zero. Prindërit e këtyre studentëve, janë taksapagues të këtij vendi, falë kontributit të tyre operon sot shteti, e pikërisht nga ky burim financiar paguhen pedagogët e mbarëvajtja akademike. Më tej, në varësi të rezultateve çdo student paguan detyrimin vjetor. Pra, ndodh me studentët e Mjekësisë, hiç më pak se ç’ndodh me çdo student tjetër në këtë vend. Ndaj, këto parrullat injorante, duhet të qëndroni se paguan shteti e populli për ju, na i kurseni brenda kontureve të durimit. Përpara se të analizoni ikjen masive drejt Gjermanisë, më lini t’iu rikujtoj sesa jo e lehtë është përvetësimi i gjuhës gjermane, sesa provime duhet të japin studentët shqiptarë atje, që të pranohen e integrohen në sistemin shëndetësor gjerman, sesa barriera duhet të rrezojnë.

Aspak e lehtë apo jo, e sërish secili prej tyre ia del. Pasuri pra, pasuria e panegociueshme e vendit janë mjekët! Me një çudi të hatashme, kam dëgjuar së fundmi për hartimin e planit me masa ndaj studentëve të Mjekësisë. Ç’janë këto masa ndaj mjekëve?! Çfarë janë studentët e Mjekësisë, kriminelë apo persona me rrezikshmëri shoqërore? Apo, vetë aseti më i madh i Kombit? Të gjithë e dimë, njëzëri madje. Një merak të fundit kam, për 30,40,50 e kusur vjeçarët e facebook-ut, instagramit, portaleve që komentojnë rreth detyrimit të punësimit e ushtrimit të profesionit të mjekëve në Shqipëri.

A ka mundësi të mos promovoni injorancë, fodullëk, analfabetizëm argumentativ, primitivizëm? A ka mundësi? Tani, fare e qartë, se keni ndonjë brengë familjare a farefisnore që s’keni mundur të shihni vajzën, djalin, mbesën, nipin në arenën e profesionist më të kërkuar e gati të pamundur në këtë shoqëri, por mos u konsumoni më kot. Ju nuk jeni, kredibiliteti i duhur për të gjykuar superiorët, as mund të jeni, as do të jeni. S’mjafton një telefon në dorë dhe akses interneti, për të luajtur rolin e gjyqtarit publik, lypset intelekt, ajo që s’mundët ta keni, ndaj moderohuni.

Për ju studentë të sotëm e mjekë të ardhshëm, mund të punoni në Gjermani, Australi, Amerikë, Atlantik e Paqësor, është e drejta juaj, është vendimi juaj, është qasja juaj! Ju nuk kushtoni, ju jeni pasuri kombëtare, faktikisht, jeni magneti i fundit i mbetur që mund të mbërthejë rreth vetes të tjerë si Ju, falë forcës së shembullit që ofroni. Kudo qofshi, jeni aseti i kombit! Nëse ky shtet kërkon kontributin tuaj në Shqipëri, fare mirë mund t’iu plotësojë kushtet e kërkesat! Mjekë, jeni privilegji i pakohë i Shqipërisë…