Për Teatrin rreth tërmetit

Për Teatrin rreth tërmetit

Teatri Kombëtar

Pati një nxitim të frikshëm, më të shpejtë se vrapi i panikut nga tërmeti i mesditës, për të shpërndarë gjithandej lajmin, se godina e Teatrit Kombëtar nuk u rrëzua nga tërmeti. Grupi i protestës pro Teatrit të vjetër, u bë promotor i këtj lajmi, aq sa kur shikoje statuset e tyre, kishe idenë se Shqipëria e mesme ishte rrafshuar, kulla e Bashkim Ulajt kishte rënë, ETC e Dulakëve ishtë kthyer në gërmadhë, “Hotel Tirana” ishte përpirë nga balta, vilat e politikanëve në Lalëz ishin zhdukur në rërë, ndërsa Teatri kishte mbijetuar.

Përfytyrimi epik që po krijohej për Teatrin e mbijetuar ishte aq mbreslënës, sa të vinte të lije të gjitha punët dhe të shkoje të shikoje, se si në një qytet, të tërin të rrëzuar përtokë, një godinë e bekuar kishte mbijetuar.

Në fakt ishte krejt e kundërta.

Në gjithë qytetin dhe rajonin, përfshi dhe vendin ku ishte epiqendra në Gjirin e Lalzit, nuk kishte ndodhur asnjë dëm. Amplituda e tërmetit e shkallës 5,2 Rihter, është e konsiderueshme për të pasur së paku dëmtime të lehta.

Një tërmet i tillë i përafërt në Tiranë në vitin 1989, ka bërë më shumë dëme në Kombinat. Por këtë radhë në fakt nuk kishte mbijetuar vetëm Teatri, por ishte dëmtuar vetëm Teatri dhe një godinë rreth 100 metra afër tij. Edhe ajo e viteve ‘30, por me struktura shumë më solide.

Teatri, i ndërtuar me materiale të lehta dhe struktura tërësisht elegante, normalisht duhet të kishte rezistuar shumë më tepër. Por në vite atij i janë bërë ndërhyrje dhe modifikime, që kanë prodhuar një ndërtesë e cila është plasaritur dhe dëmtuar dhe nga një tërmet që është në kufijtë e të qenit i rrezikshëm.

Kjo nuk ka të bëjë fare me arsyet përse ai po prishet, apo përse duhet prishur, po ka të bëjë me të kundërtën e saj, me faktin që mbrojtësit e Teatrit nga qeveria, që kanë të drejtën dhe emocionet e tyre ta mbrojnë, nxituan të fshehin, edhe pse pa nevojë, pafuqinë për ta mbrojtur atë nga Zoti.

Nuk është faji i tyre dhe nëse ai rrëzohej apo rrëzohet ende pa shkuar fadromat e qeverisë. Ata përsëri mund të luftojnë të ribëhet si ka qenë, dhe jo si do ta bëjë Edi Rama. Por kjo përpjekja për të bërë,sikur këtu ra një tërmet, shkretoi dynjanë dhe shpëtoi vetëm Teatri, është një teatër më vete.

Godina e Teatrit provoi që është më e dobëta dhe më e keqja e Tiranës. Mund të bëhet betejë të mbrohet dhe si e tillë, mund të nxjerrësh dhe Lulin para saj me tabelën “Unë jam Teatri”, por as kjo nuk është simbolikë e mire, se ne e dimë që ai “është Teatri”, por një Teatër që nuk frymëzon. Së paku të mos thuhet që godina e Teatrit është e vetmja që rezistoi. Në fakt, godina e Teatrit është e vetmja që nuk rezistoi. Shtëpitë dhe zyrat e reja, të ndërtuara pas viteve ’90, edhe pse i shajmë, i kemi të gjitha të paplasaritura dhe të sigurta. Teatrin e kemi të pasigurtë! Kjo nuk vlen fare si argument shtesë për debatin që ka nisur para tërmetit, por meqë po i referoheni Zotit, kujdes, se nuk e keni me vete!

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    16 Nëntor, 09:13

    Kush ka pension më të ulët bonus më të madh në fundvit? Si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore

Zyrtari i lartë rus: Vendimi i Biden për Ukrainën mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore