TIRANË- Demokratët janë vënë në lëvizje pas sherrit dhe ofendimeve që dominuan dje sallën e Kuvendit dhe kanë kërkuar përjashtimin me 60 ditë të kreut të grupit të PS, Taulant Balla. Në kërkesën e tyre drejtuar Sekretariatit të Etikës, Partia Demokratike thotë se Balla përdori gjuhë fyese, ofenduese dhe seksiste ndaj deputetes Albana Vokshi, së cilës iu drejtua me frazën “për ty kemi numrin 0900”.

"Thamë t’ju pyesim ju njëherë, po s'kishim kohë. Realisht, realisht, realisht, realisht nuk kishim një numër telefonin tuajin që t'ju merrnim në telefon dhe t'ju thonim ore si mendoni ju për këtë. Po, 0900 se për ty kam këtë numrin, për ty Albana padyshim. Dhe pа pyetur për strukturat vendore, pa pyetur edhe për këtë padyshim. Edhe se kishim këtë mundësi. Se kishim këtë mundësi”, tha Balla në Kuvend.

PD thotë se kjo gjuhë nxit urrejtjen dhe diskriminimin mbi baza gjinore dhe kërkesa e tyre nuk ka si qëllim vetëm ndëshkimin e Ballës, por edhe të përçojë mesazhin se për Kuvendin çdo formë diskriminimi mbi baza gjinore është e papranueshme.

"Rezulton se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla ka përdorur një gjuhë fyese, ofenduese, seksiste, diskriminuese dhe tërësisht të papranueshme në drejtim të deputetes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Znj. Albana Vokshi, duke cënuar rëndë dinjitetin e saj si deputete, si grua dhe nënë. Gjuha e përdorur nga deputeti Balla nxit urrejtjen dhe diskriminimin mbi baza gjinore, duke dëmtuar rëndë reputacionin e Kuvendit dhe të deputetëve tek qytetarët, si dhe përhap mesazhin e normalizimit të një gjuhe të tillë ndaj vajzave dhe grave. Në këtë kuptim, kjo kërkesë nuk ka për qëllim vetëm ndëshkimin e deputetit Balla për fyerjet e tij ndaj deputetes Vokshi, por edhe të përçojë në shoqëri mesazhin se për Kuvendin e Shqipërisë dhe deputetët e tij çdo formë diskriminimi, ngacmimi seksual, përhapje urrejtje mbi baza gjinore është i papranueshëm dhe i dënueshëm", thuhet në kërkesën e PD.

Nga ana tjetër, ndëshkime për demokratët kërkon edhe grupi i PS. Pas deklaratës së Ballës, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi iu kundërpërgjigj duke i thënë se “është mësuar me kur*vat në partinë e tij”. Kështu, PS kërkon përjashtimin me 10 ditë për Bardhin, ndërsa me 1 muaj për Klevis Balliun i cili u filmua në një përplasje me Ballën. PS argumenton se dy deputetët demokratë kanë penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit, duke bllokuar foltoren dhe duke përdorur gjuhë të papërshtatshme. Seanca u ndërpre pasi PS kaloi direkt në votim, ndërsa opozita braktisi sallën.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:43
PPE dënon gjuhën e përdorur nga Balla ndaj Albana Vokshit në Kuvend: Poshtërimi personal nuk ka vend në institucionet demokratike

1772819128_xtyduioos.jpg

Partia Popullore Europiane (partitë e qendrës së djathtë në Europë), ka dënuar gjuhën e përdorur nga kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndaj deputetes Albana Vokshi në Parlament.

Përmes një postimi në rrjetet sociake, duke e cilësuar deklaratën e Ballës në Parlament si sulm verbal seksist, PPE shkruan se poshtërimi personal nuk ka vend në institucionet demokratike.

Duke shprehur solidaritet me Vokshin, PPE i ka bërë thirrje mazhorancës në Shqipëri që të përmbahen nga gjuha dhe sjellja që shkel dinjitetin e grave.

“Ne, gratë e EPP, dënojmë me forcë sulmin verbal seksist të kryetarit socialist Taulant Balla, drejtuar ndaj Zëvendëspresidentes sonë Albana Vokshi, gjatë seancës së fundit plenare të Parlamenti i Shqipërisë, ku ai sugjeroi se numri i saj është “0900” – një referencë ndaj një linje telefonike seksuale!

Komentet seksiste dhe poshtërimi personal nuk kanë vend në institucionet demokratike. Mosadresimi i këtij incidenti gjatë seancës është i papranueshëm.

Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Zëvendëspresidenten tonë dhe u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë, veçanërisht atyre të shumicës qeverisëse, të përmbahen nga gjuha dhe sjelljet që shkelin dinjitetin dhe të drejtat e grave.

Respekti dhe toleranca zero ndaj seksizmit duhet të udhëheqin institucionet tona politike”, shkruhet në njoftimin e PPE.

 

Ora 17:03
‘Bllokuan foltoren dhe përdorën gjuhë të papërshtatshme’- PS kërkon përjashtimin e Bardhit dhe Klevis Balliut nga Kuvendi, shkak sherri me Ballën

1772813215_xdtuop.JPG

Seanca plenare e ditës së djeshme u shoqërua me përplasje të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ku gjatë orëve të pasdites debatet u përshkallëzuan ndjeshëm, pas një deklarate të Taulant Ballës ndaj Albana Vokshit të cilës i tha ‘për ty kam numrin 0900’.

Ndërkohë ditën e sotme, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, marrjen e masave disiplinore ndaj deputetëve të PD-së, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu.

Socialistët argumentojnë përmes kërkesës zyrtare se gjatë seancës plenare të 5 marsit 2026, dy deputetët demokratë kanë penguar zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit, duke përdorur gjuhtë të papërshtatshme dhe duke bllokuar foltoren e Kuvendit.

Kështu që, bazuar në këto pretendime dhe në pamjet filmike të seancës, PS ka kërkuar:

-Përjashtimin e Gazment Bardhit nga komisionet dhe seancat plenare për 10 ditë, për pengim të zhvillimit të seancës dhe përdorim të gjuhës fyese;

-Përjashtimin e Klevis Balliut për 30 ditë, duke argumentuar se ai ka shfaqur sjellje agresive dhe ka dëmtuar pajisjet e sallës së Kuvendit;

Kujtojmë se gjatë paradites së sotme, PD ka kërkuar përjashtimin e kreut të Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Ballës, me 60 ditë nga Kuvendi.