Kryeministri Edi Rama priti sot në Kryeministri boksierin shqiptar të peshave të rënda, Nelson Hysa, pasi mbrojti me sukses titullin WBO në përballjen me norvegjezin Thomas Narmo.

Gjatë takimit, Rama u interesua për ndeshjen dhe rrugëtimin e kampionit në ring, ndërsa Hysa rrëfeu se dueli erdhi pas 11 muajsh pa zhvilluar një ndeshje. Ai tha se përballë kishte një kundërshtar shumë të fortë, i cili konsiderohej favorit për të fituar titullin.

“E humba raundin e parë, por i dyti shkoi mirë”, tha Hysa, teksa kujtoi momentet e sfidës në Londër.

Kryeministri e përgëzoi boksierin për mbrojtjen e titullit dhe rezultatet e arritura në arenën ndërkombëtare. Nga ana e tij, Hysa u shpreh se aktualisht është i vetmi boksier shqiptar i renditur në katër federatat kryesore ndërkombëtare të boksit.

Në fund të takimit, kampioni i dhuroi Ramës një set të veçantë dorezash boksi.