TIRANE- Votimi i buxhetit të bashkisë së Vlorës ka sjellë tronditjen e mazhorancës në qytetin bregdetar duke provokuar dhe reagime të forta në qendër. Kështu, pas shumë debatesh, këshilli bashkiak me votat e PS dhe aleatëve të saj, si dhe votat e LSI, PDK dhe të PDIU ka miratuar përfundimisht buxhetin për këtë vit, duke sjellë në këtë mënyrë rrjedhjen e votave në këshillin bashkiak të Vlorës dhe për pasojë tronditjen e koalicionit mazhoritar vetëm tre muaj përpara zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.

Ndërkohë që burime të besueshme nga selia blu bëjnë me dije se për këtë “tradhëti” të aleatëve më të ngushtë të PD në këshillin bashkiak të Vlorës, që me sa duket do të pararendë dhe atë të zgjedhjeve vendore, dega e PD të Vlorës është ankuar në qendër sidomos për aleatin më të madh në qeverisje, LSI-në, e cila dje i dha votën në këshillin bashkiak të Vlorës PS për të kaluar buxhetin e këtij viti. PD e qytetit bregdetar nuk është shumë e shqetësuar për faktin se kaloi buxheti, por për faktin se nuk ndjehet e sigurtë për mbarëvajtjen e këtij koalicioni dhe në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Pasi jo vetëm këshilltarët e LSI kanë lëvizur me vota drejt opozitës por dhe ato të PDK s’kanë lëvizur nga qëndrimi, pra vijojnë koalicionin me PS. Njëherësh dhe katër këshilltarët e PDIU në shumicën e rasteve i bashkojnë votat me këshilltarët socialistë. Kështu ditën e djeshme këshilli bashkiak ka votuar me 25 vota pro projetbuxhetin e paraqitur nga kreu i bashkisë Shpëtim Gjika, ndërsa demokratët teksa e kanë cilësuar këtë buxhet elektoral janë shprehur me votë kundër dhe abstenime.

Mbledhja e djeshme konsistoi në diskutime dhe debate në lidhje me të gjitha komisionet të cilat kishin shqyrtuar më herët zë më zë të gjithë sektorët e investimet që do preken nga buxheti i bashkisë. Debatet as kësaj radhe nuk kanë munguar nga të djathtët në këshill, të cilët kanë kërkuar më shumë shpjegime në lidhje me investimet e pritshme. Kështu, Bashkia e Vlorës do të ketë një buxhet më të ulët për vitin 2013, krahasuar me vitet e mëparshme.

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak, përmes debateve, është miratuar buxheti për vitin 2013, në një vlerë prej 11 miliardë lekësh. Këshilltarët e djathtë, kanë kërkuar më shumë shpjegime në lidhje me investimet e pritshme, ndërsa kanë theksuar se ky buxhet nuk i përgjigjet nevoja aktuale të Vlorës për investime. Kryebashkiaku Gjika ka rënditur një serë pikash ku pritet të investohet, ndërsa kërkoi ndjese për ato punime të cilët nuk janë realizuar në kohë, kjo sipas tij edhe për shkak punimeve jashtë standardeve të firmave përkatëse.

(sg/shqiptarja.com)