Çdo gjë ka ndodhur në mbledhjen e kryesisë së PD-së kur kryebashkiaku Luka i ka kërkuar shkakun përse nuk ka reaguar PD-ja pas akuzave të bëra në drejtim të tij nga Inspektoriati Kombetar i Mbrojtjes se Territorit.
Por Ramiz Çobaj, kreu i partisë Demokratike në Shkodër i është shmangur kësaj kërkese dhe kjo gjë ka irrituar edhe më shumë kryebashkiakun si dhe përkrahësit e tij brenda kryesisë së PD-së. Mungesën e ballafaqimit dhe mos reagimit të Çobajt përkrahësit e Lukës sëbashku me atë e kanë cilësuar si tradhti.
Ata kanë hedhur dyshime se në kallëzimin penal ndaj kryebashkiakut kanë gisht pikërisht përkrahës të Çobajt si dhe ky i fundit për shkak të moslejimit të rikandidimit të Lukës. Në këtë moment ka ndërhyrë edhe i deleguari Arben Imami i cili ka deklaruar se kjo pikë nuk është në rendin e ditës dhe do diskutohet gjatë ditëve ne vijim.
Kjo deklaratë ka nxehur edhe më shumë gjakrat ndërsa përkrahës të Lukës kanë akuzuar edhe Imamin si përçarës së PD- së në Shkoder. E ndërkohë në ngarkim të Çobajt nuk kanë munguar edhe akuzat si ish-sigurims dhe ish-SHIK-as, i cili po shkatërron PD- në e Shkodrës.
Sipas tyre persona të lidhur me Çobajn kanë ndërhyrë pranë IKMT- së për ta ndjekur penalisht në mënyrë që të mos rikandidojë. Ndonëse pritet zyrtarizimi i emrit të kandidatit të PD-së për bashkinë e Shkodres përçarja mes demokratëve është me e dukshme se kurrë ndërsa nuk mungojnë akuzat dhe kundër-akuzat.
PD: IKMT po përdoret për goditjen e kandidatëve, sulm i mirëfilltë politik
Por pavarësisht debateve me një deklaratë PD e Shkodrës ka reaguar kundër padisë penale ndaj kryebashkiakut, nga IKMT. Sipas PD-së IKMT përdoret për goditjen, burgosjen dhe kërcënimin e opozitës.
Deklarata e plotë e PD-së së Shkodrës
Denoncojmë sot një akt të papreçedent të pushtetit të inkriminuar ndaj një tjetër Kryetari Bashkie, kësaj radhe Kryetarit të Bashkisë Shkodër dhe administratorëve më të mirë të kësaj Bashkie. Njoftimi i akuzës së Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në Prokurori përmes faqes së Facebook-ut, është një shkelje flagrante dhe e turpshme e praktikave ligjore që ndodh vetëm në një shtet kriminal.Ndërkohë që krerët e lartë të shtetit janë kthyer në kupolën e krimit, tani më, jo vetëm si mbrojtës, por edhe si organizues dhe urdhërues të tij, institucionet si: Policia, INUK etj, po përdoren për goditjen, burgosjen, kërcënimin dhe zhvatjen e qytetarëve shqiptarë në përgjithësi dhe Opozitës në veçanti.Ky sulm i mirëfilltë politik, pa asnjë referim dhe argument ligjor nga Rruspa e INUK, bëhet në prag të fushatës zgjedhore për të frenuar dhe hapur panik tek Opozita dhe vetë qytetarët e Shkodrës.Shkodranët e dinë më mirë se askush tjetër se ky sulm politik ndaj Shkodrës, e transformuar rrënjësisht gjatë tetë viteve të qeverisjes lokale të PD, i ka rrënjët tek ideologjia dhe mentaliteti i baballarëve të Rilindasve të Bllokut, që qeverisin sot vendin. Partia Demokratike siguron opinionin publik shkodran dhe mbarë shqiptarët, se nuk do të lejojë Rilindjen t'a kthejë Shqipërinë në një juntë të mafies dhe krimit shtetëror.
Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)