Përdhunimi i të miturës, deputetja socialiste: Ngjarje barbare e denjë veç për filma horror

Përdhunimi i të miturës, deputetja socialiste: Ngjarje barbare e denjë veç për filma horror

Deputetja socialiste Edlira Bode nga foltorja e Kuvendit ka reaguar ashpër për rastin e përdhunimit të së miturës në Kamëz. “Jashtë temës në rend të ditës, por do të kem padyshim mirëkuptimin e kujtdo nëse prek, në fillim të fjalës sime, shkurtimisht, një tjetër temë. Vetëm para pak ditësh, të gjithë ne u tronditëm pasi mësuam për një ngjarje të denjë për filma horror, fatkeqësisht të ndodhur realisht e të ndodhur në shtëpinë tonë. Një vajzë e vogël, e trajtuar në mënyrë barbare, çnjerëzore nga një monstër (që emër tjetër nuk mund të ketë), teksa shkonte në shkollë; aty ku duhet të merrte dije, të edukohej dhe ku duhet të ishte, mbi të gjitha, e përkujdesur dhe e mbrojtur nga çdo e keqe, nga çdo pabesi. Jam si grua e tmerruar, e indinjuar, e zemëruar deri në dhimbje; jam një nënë që nuk mund të mos mendojë natyrshëm bijën e saj; por fati e solli që të jem edhe një ligjvënëse, ndaj ndjehem keq pasi mendoj se të gjithe ne kemi dështuar ( e në mënyrë të përsëritur, ç’ka është më e keqja), në atë që duhet të ishte detyra dhe misioni ynë numër 1: tutela e fëmijëve tanë.

Kemi folur e folur, kemi bërë ligje jo të ashpra, shumë të ashpra; por me sa duket kjo nuk mjafton. Tashmë nuk ka vend për fjalë. Me veprime konkrete duhet dhe do ta gjejmë mënyrën për të bërë bashkë drejtues, mësues, psikologë e oficerë sigurie, pushtet vendor e qendror, polici e gjykata, por edhe prindër, të afërm, komshinj, të gjithë shoqërinë, vigjilente e të gatshme për të parandaluar tmerre të tilla. Nuk duhet dhe nuk mund të dështojmë përsëri! Duhet ta fillojmë që këtu, duhet ta fillojmë nga vetja, duhet të impenjohemi të gjitha e të gjithë! Jemi në mënyrë konstante përpara publikut, jemi modeli, ndikojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë zhvillimet në shoqërinë tonë.

Për disa, në mënyrë të pafalshme, të jesh deputet nënkupton të dalësh tek kjo foltore, të ligjërosh pse jo, sharje e fyerje të padenja për kë të mundesh, madje, edhe kacafytja me kolegët këtu, hyn tek veprimtaritë normale të deputetit. Të flasësh për ligje JO, kjo nuk është normale. Një deputete që propozon ndryshime nenesh të një ligji të rëndësishëm është aq jonormale sa, nëse ndodh kjo, ajo po përdoret patjetër nga dikush. Falenderoj pa fund koleget për reagimin e menjëhershëm, të njzëshëm, kur dikush në këtë sallë artikuloi një akuzë të tillë në adresën time. Rezultati, në fakt nuk vonoi. Kush e adresoi u detyrua ta tërheqë. Në të njëjtën mënyrë ne duhet të bëhemi zëri i çdo vajze, gruaje, nëne, fëmije të pambrojtur e çdo qytetari të pazëshëm. Nëse e bëjmë këtë dhe e bëjmë të gjitha e të gjithë bashkë, rezultati patjetër që nuk do të vonojë. Personalisht, që në krye të herës, kam zgjedhur të bëj detyrën këtu në Kuvend, dhe të mos shpërdoroj fjalën.

Duke bërë detyrën, në ushtrim të funksionit të deputetit dhe duke zbatuar me përpikmëri rregulloren e Kuvendit kam qenë para disa javësh kur kam vendosur një propozim mbi tryezën e Komisionit të Ligjeve, ndonëse u komentua sikur ta kisha dërguar për botim në fletoren zyrtare. Në fakt, e prezantova me pak fjalë (por uroj dhe besoj të sakta e të mjaftueshme) përpara kolegëve KL; ata e konsultuan me shumë aktorë e faktorë të rëndësishëm, profesionistë të fushës, dhe po me profesionalizëm përgatitën dhe sollën për miratim në seancë plenare një variant shumë më të mirë se propozimi fillestar. Produkti final i miratuar nga të gjithë ne ishte më i miri i mundshëm. Kjo është çfarë ndodh me ligjet në parlament përgjatë kalimit në një zinxhir të gjatë hallkash që plotësojnë njëra-tjetrën. Unë ndjehem mirë që isha, në rastin në fjalë, njëra nga hallkat dhe ja ku jam përsëri përpara jush, pasi jam përsëri një nga hallkat e një tjetër zinxhiri, për një tjetër projektligj" tha ajo.


Lajmi kryesor:

Përdhunimi i 15-vjeçares/ Rama akuza opozitës: E ridhunuan për politikë, janë më keq se abuzuesi! Shahini: Dyfishojmë psikologët! Valteri tërhiqet nga dënimi me vdekje


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit

FOTOT/ Tirana shkëlqen për festat e fundvitit