TIRANE- Gazetari pranë PD-së, Basir Çollaku publikoi sot në Shijak TV dëshminë e një polici në komisariatin e Fushë-Krujës, i cili deklaroi se ishte kërcënuar me pistoletë në kokë për të mbyllur dosjen e hapur për akuzën e përdhunimit në ngarkim të djalit të deputetit të Partisë Socialiste, Rahman Rraja. Ai akuzon vëllain e deputetit se i ka vënë pistoletën në kokë, vetë deputetin Rraja, kryebashkiakun Artur Bushi dhe Taulant Ballën se ishin në mesin e 10 personave që e kërcënuan.

Letrën e oficerit Emiljano Nuhu e ka publikuar sot edhe deputeti i PS-së, Taulant Balla. Ai thotë se e zotëron prej dy javësh këtë letër, por e quan të rreme, një tjetër dëshmi të gatuar në zyrat e PD-së, e cilësuar ndryshe si 'Babale 2'.

Sot dua që para jush të denoncoj përfshirjen e turpshme të PD në shpifje dhe baltosje të përfaqësuesve më të lartë të PS. Kjo baltë e shoqëruar me inskenime të turpshme që përbëjnë edhe vepër penale si në rastin e Babale 1. Gjithçka  po gatuhet brenda godinës së PD. Sot dua të bëj publik një rast tjetër me autor Bashën dhe Berishën. Aktori i radhës është një person që nëse do kishte qëndruar në polici do ta flakte jashtë radhëve të saj vettingu. I kërkoj policisë të bëjë publike vendimet kriminale të tij. Vendosa ta bëj unë publike Babablen e re. Prej dy ditësh jam në dijeni të një letre të një ish oficeri që ka braktisur detyrën ashtu si Babalja 1 dhe është larguar nga Shqipëria. Kam në dorë letrën e tij. Në këtë shkresë bën disa deklarata në lidhje me një rast që nuk është i ri, por i vjetër  dhe i bërë publik nga qytetari dixhital tek Berisha. Polici Emiljano Nuhu thotë se ka dijeni në rastin e përfshirjes së Rexhep Rrajës djali i deputetit të PS, Rrahman Rraja në përdhunimin e një vajze. Në deklarimin e ri polici ka shtuar edhe disa shpikje të rënda. Sipas tij paska shkuar Rrahman Rraja deputeti dhe kryebashkuaku Bushi të shoqëruar me armë mes tyre edhe unë dhe i kemi bërë presion të mbyllin dosjen.

Taulant Balla

Më poshtë letra e oficerit të policisë Emiljano Nuhu

Balla thotë se pavarësisht asaj që e quan inskenim të PD, ai nuk ka qënë kurrë në komisariatin e Fushë-Krujës aq më pak të ketë kërcënuar policin. Ai thotë se ndaj policit që ka dëshmuar për Bashën duke shpikur, por edhe ndaj të tjerëve do depozitojë kallëzim penal, për shpifje të rënda. Balla sqaron se në datën që polici pretendon që Balla ta ketë kërcënuar në komisariat, ai ka qënë në aktivitete të tjera të PS.

"Skenari është po ai që është bërë publik në faqen e Facebook të Berishës, por në deklarimin e ri Nuhu ka shtuar edhe disa shpifje të instruktuara nga PD, në godinën e PD, sipas të cilave gjatë marrjes në pyetje paska shkuar edhe deputeti Rrahja, kryebashkiaku 10 veta të armatosur, mes të cilëve kam qenë edhe unë. Idiotësi për filma, ka bërë shpifje sikur gjen përditë Bashën dhe Berishën, ndaj këtij personi apo të tjerëve do të depozitojmë një kallëzim penal, për shpifje të rënda. Asnjë nuk kam qenë ndonjë herë në komisariatin e policisë Krujë. Nuk kam qenë kurrë dhe janë vërtetuar nga verifikimet. Në datat e deklaruara nga ky person, kam qenë në aktivitete në qytete të tjera të Shqipërisë, me orë dhe datë, që rrëzon gjithçka. Do të shikoni edhe një video e publikuar nga një gazetar që ka punuar për kunatin e Berishës, do të dëgjoni të njëjtat shifra. Kjo është provë e PD në zhytje inskenimesh, të paaftë, është turp që degradojnë në rekrutimin e personave me precedent. PD i bëj thirrje që të distancohet nga ky person, policia ta sqarojë. Personi ndërkohë do të ketë marrë rrugën si Babalja, por drejtësia të ndëshkojë jo vetëm personin e përfshirë, por atyre që kërkuan të bëjnë politikë. Unë e bëra publike, se nuk dua ti jap mundësinë Bashës që shpifjen e gatuar ta përdorë si pjesë të sulmit të radhës. Të distancohet nga kjo politikë dhe nga këto Babale.

Taulant Balla

Rasti u denoncua në muajin korrik nga ish-kryeministri Sali Berisha. Referuar një mesazhi nga qytetari dixhital, Berisha akuzonte djalin e deputetit të PS-së në Krujë, Rrahman Rrahja se ka përdhunuar një vajzë dhe se policia e ka fshehur ngjarjen. Drejtoria e Policisë Durrës reagoi duke sqaruar se materialet janë referuar në prokurori për kërcënim dhe ngjarja nuk është fshehur.

Ndërkohë që për Report Tv reagoi ekskluzivisht vajza Xh.Maloku. Ajo thotë se u trondit kur mori vesh lajmin nga mediat se Berisha kishte publikuar një status ku thoshte se ajo ishte përdhunuar.

25-vjeçarja kërkoi përgënjeshtrimin e lajmit. Sipas saj gjithçka bëhej për të njollosur emrin e deputetit Rraja. Konfliktin me djalin e deputetit, ajo tha se e kishte  sqaruar në polici.

Pershendetje une quhem Xh.Maloku dhe po e shkruaj kte mesazh ne lidhje me denoncimin e Z.Sali berisha te bere publik ne fb.Lajmin e mora vesh nepermjet medias dhe ishte nje lajm shume trondites per mua dhe familjen time.ne shkrimin e tij thuhej per nje perdhunim ndaj meje kjo nuk esht aspak e vertete dhe esht dicka shume e rende sidomos te thuhet nga nje ish Kryeminister.pas deklarates se tij ne fb lajmi mori dhene ne te githa portalet dhe mediat.kerkoj ndihmen tuaj te pergenjeshtrohet sa me shpejt kjo shpifje.une nuk jam perdhunuar nga askush nuk jam manipuluar nga askush dhe nuk ka pasur asnje presion as ndaj meje as ndaj familjes time.kjo shpifje esht bere per te njollosur emrin e deputetit Rrahman Rraja i cili esht nder njerzit me te rrespektuar ne rrethin e Krujes.per sa i perket nje debati me djalin e tii un jam sqaruar ne stacionin e policise Fushe kruje ne pranine e avokatit dhe psikologes dhe dy oficere te policise te cilet asnje nga kto perfshire dhe mua nuk kemi pasur asnje lloj ndikimi nga asnje lloj njeriu. ne denoncimin e Zotit Berisha ne fb lexova dhe emrin e Artur Bushit te cilin un nuk e njoh dhe po ta shikoj ne rruge di vetem qe esht kryetar bashkie.ju lutem te pergenjeshtrohet sa me shpejt kjo shpifje qe po trondit familjen time dhe te personave qe jan permendur ne ate shpifje

Vajza Xh.Maloku