TIRANË- Përdorimi i kortizonit pa kriter tek pacientët e infektuar me COVID, ka shtuar ndjeshëm rastet me diabet. Mjekja endokrinologe, Luftime Bruka thotë për Report Tv se shifrat që nga fillimi i pandemisë janë shqetësuese.

“Me periudhën që kaluam, një ndër shkaqet që jepte problematikat tek pacientët që kalonin COVID, ishte diabeti. Gjatë kohës së COVIDI mori përmasa galopante. Një ndër shkaqet ishte përdorimi i kortizonëve tek pacientët. Kemi pasur raste pa fund dhe problematike. Kortizoni ishte një ndër shkaqet kryesore që shkaktoi diabetin tek personat me COVID. Edhe stresi shtoi pacientët. Pacientët duhet të kenë kujdes me dietën, aktivitetin fizik”, tha Bruka.

Shkak i rritjes së numrit të diabetikëve sipas mjekes Bruka është jetesa jo e shëndetshme, ndërsa problematik mbetet shtimi i rasteve të diabetit tek fëmijët.

 “Dieta është kryesorja. Duhet ditë rigoroze, e shëndetshme. Duhet të ketë kujdes një person që ka një të afërm diabetik. Kur ne nuk kemi një jetë të shëndetshme, duhet ekzaminimi. Diabetin tek fëmijët e kemi tip1 dhe tip2. Më përpara kemi pasur vetëm diabetik tip1. Në diabetin tip1 është pankreasi që prodhon insulinën. Ndërsa në diabetin tip2, insulina prodhohet nga pankrasi, por nuk prodhohet aq sa duhet. Obeziteti është një ndër shkaqet kryesore, keq ushqyerja, mungesa e aktivitetit fizik. Është për të ardhur keq se fëmijët kanë harruar aktivitetin fizik. Gjatë verës pacientët duhet të kenë kujdes në konsumimin e frutave”, tregon mjekja.

Bruka tregon se edhe nëse nuk kemi shenja, ekzaminimi është i nevojshëm pasi diabeti mund të jetë i fshehur.

“Diabeti është sëmundja e shekullit. Nuk ka moshë. Do përkujdesje të veçantë sepse diabeti prek të gjitha organet. Një pacient që ka tharje goje, pi shumë ujë, bie në peshë, ngrihet natën. Këto janë shenjat më madhore. Duhet të drejtohet tek mjeku. Një person që ka rritje të glicemisë mbi norma duhet të paraqitet tek mjeku. Normat janë 80 deri në 100 dhe mbi 140 me ushqim. Një person që ka këto vlera duhet të paraqitet tek mjeku. Klinika është kryesore. Ka persona që vijnë në stad të avancuar të diabetit. Kryesor është ekzaminimi”, shtoi ajo.

Diabeti është një sëmundje kronike që shfaqet kur pankreasi nuk prodhon sasi të mjaftueshme të insulinës, ose kur trupi nuk mund ta shfrytëzojë në mënyrë efikase insulinën e prodhuar nga pankreasi. Disa nga simptomat kryesore janë: Etja e shtuar, urinimi i shpeshtë, shtim oreksi që shoqërohet me humbje peshe, lodhje kronike, shikim i mjegullt e shumë shqetësime të tjera.