Dy shqiptarë, të moshës 37 dhe 44 vjeç, të identifikuar në media si Petrit Myzyri nga Berati dhe Daniel Dhamaj nga Vlora, janë arrestuar në Mykonos nga policia greke, të dyshuar për posedim, ruajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike.
Sipas Policisë Greke, arrestimet u bënë pas një hetimi dhe vëzhgimi të fshehtë, gjatë të cilit u zbulua se dy të dyshuarit vepronin së bashku në shpërndarjen e drogës. Ata përdornin një makinë të parkuar si "depo", ku mbanin një sasi të madhe të lëndëve narkotike.
Më pas u organizua një operacion policor, ku u kryen kontrolle në një banesë, një motoçikletë dhe dy automjete që ata përdornin.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan 365.8 gramë MDMA, një drogë sintetike e njohur edhe si ekstazit, ë ndara në gjashtë pako, 76.3 gramë kokainë rozë të ndarë në 19 pako, 36.5 gramë kokainë të ndarë në 41 pako, 36 tableta farmaceutike pa recetë mjekësore, 65.900 euro dhe 125 dollarë amerikanë, të cilat sipas Policisë Greke dyshohet se janë përfituar nga trafikimi i drogës. Po ashtu u sekuestruan tre telefona celularë, peshore precize dhe materiale paketimi.
Të arrestuarit pritet të dalin para Prokurorisë së Shkallës së Parë në Syros, ndërsa operacioni është pjesë e aksioneve të policisë në Egjeun Jugor kundër trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Emrat e tyre janë publikuar nga mediat në Shqipëri, por nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet greke.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë










Komente
Komento