Një zyrtar kryesor i NATO-s, Rob Bauer, ka paralajmëruar se civilët në Perëndim duhet të përgatiten për luftë të gjithanshme me Rusinë.

I ftuar në “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv ish-gjenerali Bardhyl Kollçaku, njëkohësisht deputet i PS tregon shtetet e tjera që synon Rusia, pas Ukrainës.

“Është një temë e diskutuar në të gjitha kancelaritë Europiane. Nuk është thirrje për luftë, është thirrje përgatitje për luftë të imponuar nga sjelljet dhe imponimet agresive të Rusisë të imponuar nga agresioni në Ukrainë. Edhe përgatitjet e vazhdueshme që bën Rusia dhe duhet që nuk ka të ndalur në përpjet e saj gjithë industria civile po kthehet në industri ushtarake duke prodhuar qindra tanke në vit gati 100 tanke në ditë, i bie më shumë se 1000 tanke në vit.

Është një konkluzion i nxjerrë jo vetëm nga strategët e vendeve të Natos por nga të gjithë që studiojnë luftërat. Rusia qoftë në ambiciet e pa mata të Putinit duket se nuk ka të ndalur pavarësisht përpjekjeve të rezistencës së Ukrainës. Përfundimi i luftës duket i largët”.

I pyetur se cili është skenari më i keq, shqetësuese për Kollçakun është fakti që lufta në Ukrainë nuk ka të ndalur.

“Ky është skenari më i keq, por është dhe një skenar që e kishim parashikuar kur miratuam strategjinë ushtarake të aleancës. Kërcënimi kryesor ishte Rusia dhe terrorizmi. Ne nuk jemi të bindur dhe nuk garanton askush se Ukraina është objektivi i fundit i Rusisë.  Shqetësimi i parë është që lufta në Ukrainë nuk ka të ndalur edhe Rusia apo lodhja me këtë luftë”.

Në këtë situatë Kollçaku shtoi se edhe Shqipëria për përgatitet.

“Pa diskutim që duhet të përgatitet edhe Shqipëria. Forcat e armatosura e kanë marrë këtë sinjal dhe janë në ullinë e përgatitjes me kapacitete maksimale, ju shikoni dhe dronët që po blemë, anti tanket por edhe masa të tjera. Por nuk është e rëndësishme vetëm për forcat e armatosura por është popullsia ajo që duhet ta kuptojë se është e nevojshme. Qoftë vendet baltike Suedia apo vende të tjera në krahun lindor po konsiderojnë me seriozitet kthimin e shërbimit ushtarak”.

Kurse ish-deputeti Azgan Haklaj tha se sulmi në Banjskë të Kosovës u bë me qëllim për të ndarë Mitrovicën.

“Kjo situatë, këto deklarata për përgatitje për luftë sepse unë nuk mendoj se do kemi luftë, por janë kërcënime. Vijnë për faktin se Rusia e shef veten të dështuar, Ukraina s’ka pasur sukses por as Rusia. U përpoq ta shpërndajë në Banjskë në Mitrovicë të Veriut, në Bosnje. Banjska ka qenë agresion ushtarak për të ndarë Mitrovicën dhe për të krijuar trazira në Kosovë. Edhe Rusia edhe Serbia po përgatitet të sulmojë sërish në Kosovë".

"Shqiptarët të jenë unik në qëndrimin e tyre për shkak të çdolloj agresioni që do vijë nga Rusia sepse ajo nuk heq dorë. Radoiçiç është i lirë dhe po përgatiet për sulm thjetër", shtoi Haklaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:23
Ish-gjenerali Kollçaku: Shërbimi i detyrueshëm ushtarak është në fuqi, nuk është abroguar! Qeveria të kalojë në Kuvend ligjin për rezervistët

Ish-gjenerali Bardhyl Kollçaku, njëkohësisht deputet i PS në një intervistë për “Studio Live” tha se shërbimi i detyrueshëm ushtarak është në fuqi. Më tej shtoi se qeveria të kalojë në Kuvend ligjin për rezervistët.

“Në kushtetutë shërbimi i detyrueshëm ushtarak vijon të jetë në fuqi. Ministria e mbrojtjes e ka pezulluar thirrjen. Nga 2006 deri në 2009 ndërpremë marrjen sipas ligjit në atë kohë të shërbimit të detyrueshëm. Ligji  është në fuqi. Duhet riformatuar ligji për komponentin rezervist këtë e kanë bërë pothuajse të gjitha vendet e Natos. Duhet ta miratojmë këtë ligj pasi ka shumë sfida... Të kemi komponentin rezervist. Por ajo që dua unë të transportoj për një mesazh për të gjithë publikun, shtabi i përgjithshëm i ka kuptuar drejtë detyrat e përcaktuara nga aleanca. Ne kemi rishikuar të gjitha planet ushtarake.. Kemi kapacitete kundërajrore, antitake, dronë. Kemi forcuar kapacitetet ushtarake. Javën e ardhshme do diskutojmë strategjinë e sigurisë kombëtare e cila definon kërcënimet.”

Ora 18:41
Ish-deputeti Azgan Haklaj: Rusia tentoi eliminimin e Lulzim Bashës gjatë ‘Çadrës’

Në prill të 2017, Lulzim Basha filloi t’i druhej një atentati ndërsa për të u caktua një shtim i efektivëve të Gardës që merrej me ruajtjen e tij. Sot në “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report TV, ish-deputeti Azgan Haklaj tha se atentatin për eliminimin fizik të Bashën e kishte organizuar Rusia me qëllim destabilizimin e Shqipërisë. Ky skenar sipas Haklajt ishte planifikuar të zbatohej gjatë  “çadrës së lirisë”, qëndresës disa mujore të PD në shesh.

“Edhe para 6 vitesh ka pasur po një skenar të Rusisë. Në 2016 ka patur tentativë për grusht shteti në Mal të Zi, tentativë për të mbajtur peng kryeministrin. Kemi dhe skenarin për destabilizim në Shqipëri, këtu përmendim atë  për eliminimin fizik të Bashës gjatë çadrës. S'ka hequr dorë nga shqiptarët. Për një periudhë të shkurtër kohe kemi katër kryeministra shqiptarë në Ballkan. Rusët kanë dorë në Shqipëri... Të dhënat e fundit dëshmojnë qartë se skenarët kanë qenë të tmerrshëm. Shumë e rëndësishme që shqiptarët kanë mësuar të vërtetën dhe ështe e dhimbshme që shqiptarët janë udhëhequr nga udhëheqës që janë anti amerikan", tha Haklaj.