Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë më 18 prill se rundi i ardhshëm i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është paraparë të mbahet më 2 maj në Bruksel, do t’i dedikohet Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ai ka thënë do të ndërmerren “hapat më konkretë” përkitazi me formimin e Asociacionit, jo siç dëshiron kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “por, siç është rënë dakord përmes katër marrëveshjeve nga vitet 2013 dhe 2015”.
Petkoviq ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë se pika e parë është prezantimi i projektstatutit të Asociacionit nga Ekipi Menaxhues, pasuar nga një diskutim për propozimin, i cili duhet të përfshijë të gjitha pikat e parimeve të përgjithshme nga viti 2015.
“Ne do të ngulmojmë për këtë, kjo është në frymën e marrëveshjes dhe për të jemi marrë vesh në Ohër. Sigurisht, ne duhet të ngulmojmë për këtë, se pa Asociacionin është thjesht e pamundur të flitet për diçka tjetër”, ka theksuar Petkoviq.
Siç është bërë e ditur në javën e parë të prillit, Ekipi Menaxhues duhet, deri në fund të muajit, të propozojë një projektstatut për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo është konfirmuar nga kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petkoviq, pas takimit mes tyre në Bruksel, më 4 prill.
Megjithatë, nuk dihet saktësisht se kush e përbën këtë ekip, që është ngarkuar me detyrën për hartimin e statutit të Asociacionit. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme drejtuar Qeverisë së Kosovës, Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të sigurojë emrat e personave që janë pjesë e Ekipit Menaxhues.
Petkoviq ka thënë për RTS-në se Kosova ka refuzuar ta formojë Asociacionin që fiks 10 vjet prej nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, dhe ka pohuar se komuniteti ndërkombëtar bart përgjegjësi të veçantë për këtë.
“Kur e shikoni çdo gjë që ka ndodhur në 10 vjetët e fundit, do të shihni se komuniteti ndërkombëtar – Bashkimi Evropian dhe ata që e kanë mbështetur procesin e dialogut – bartin një përgjegjësi të veçantë, sepse ata ishin të obliguar t’i bënin trysni Prishtinës për formimin e Asociacionit”, ka deklaruar Petkoviq.
Sipas tij, Asociacioni përbën “themelin e procesit të dialogut”, dhe se Serbia ka hyrë në këtë proces për të siguruar të drejtat kolektive dhe individuale për popullin serb, përmes atij Asociacioni, siç parashihet në Marrëveshjen e Brukselit dhe marrëveshje të tjera.
Ai ka theksuar se Asociacioni është kusht kyç i Beogradit për vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, dhe se, sipas Marrëveshjes së Ohrit, formimi i tij është obligim i parë për Kosovën.
Më 19 prill të vitit 2013, kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Ivica Daçiç, dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, nënshkruan “Marrëveshjes së Parë të Parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e njohur ndryshe si Marrëveshja e Brukselit.
Marrëveshja, e cila ka 15 pika, parasheh formimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe integrimin e policisë dhe gjyqësorit nga veriu i Kosovës në kornizën institucionale të Kosovës. REL