Një zjarr ka përfshirë një godinë në zonën e Lungomares në Vlorë, ku ndodhet edhe një hotel. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë nisur fillimisht në lokalin në katin e parë të godinës, dhe më pas janë përhapur në katin e dytë, ku ndodhej hoteli, si dhe në fasadën e pallatit.

Për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit, një pjesë e personave që ndodheshin në godinë kanë dalë nga ballkonet, siç edhe një video nga kamerat e sigurisë qe Report Tv e disponon, e tregon.

Si pasojë e zjarrit, janë lënduar 7 persona, gjashtë prej tyre shqiptarë të Kosovës dhe një nga Rrësheni, të cilët janë dërguar në spital.

5 prej tyre janë nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Dy pacientë janë dërguar te ‘Trauma’ për shkak se kanë pësuar fraktura, tre në departamentin e djegieve në QSUT, ndërsa njëri prej të lënduarve ndodhet në Kirurgjinë e Spitalit të Vlorës. Një vajzë është në gjendje të rëndë, me djegie të shumta.

Veç tyre, në hotel, kishte edhe turistë të huaj nga Polonia e Ukraina.

“Ishim në gjumë në orën 4 të mëngjesit, nuk e di. Dolëm në korridor, pamë shumë tym. Mbyllëm derën, shkuam në ballkon, flakë. Kërcyem nga ballkoni, kam rënë në beton a nuk e di”, thotë një djalë nga Kosova.

Burimi kanë qenë dy frigoriferët në hyrje të lokalit që dyshohet se kanë pësuar defekt në qarkun elektrik.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur lokalizimin e zjarrit. Ndërkohë, godina fillimisht është evakuuar për shkak të rrezikut.

E gjithë ndërtesa është shkrumbuar thuajse plotësisht. Shërbimet e Policisë dhe strukturat përkatëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 07:46
Zjarri në hotelin në Vlorë, pushuesi polak: Nuhatëm diçka të çuditshme, dëgjuam të bërtitura (VIDEO)

 

Një pushues nga Polonia ka treguar si e kuptuan që në hotelin Brooklyn në Lungomaren e Vlorës ku po qëndronin, kishte rënë zjarr.

“U zgjuam natën, nuhatëm diçka të çuditshme, dëgjuam të bërtitura. U hodhëm nga dritarja, thirrëm për ndihmë. Kaq. Jam nga Polonia. Ora ishte rreth 4 e mëngjesit”, thotë djali.

Ora 07:42
Zjarri në hotelin në Vlorë, Report Tv siguron momentin kur pushuesit hidhen nga ballkoni për të shpëtuar (VIDEO)

 

Report Tv ka siguruar momentin kur pushuesit brenda hotel Brooklyn në Lungomaren e Vlorës që mori flakë këtë mëngjes, përpiqen të shpëtojnë. Kamera e sigurisë konfirmon dëshminë e tyre se për të shpëtuar janë hedhur nga ballkoni. Nga ndërtesa del tym i dendur, ndërsa ata kalojnë bordurat mbrojtëse të ballkoneve dhe hidhen.

Ora 07:37
Zjarri te hoteli në Lungomare, shefi i reanimacionit në Vlorë: 3 pacientë me djegie i dërguam në Tiranë, 2 te Trauma! Një vajzë në gjendje të rëndë (VIDEO)

 

Nga personat e dëmtuar në zjarrin që përfshiu hotelin në Lungomare të Vlorës, gjashtë kanë marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Vlorës, nga të cilët pesë prej tyre janë dërguar për trajtim më të specializuar në Tiranë. Dy persona janë nisur drejt ‘Traumës’, tre në departamentin e djegieve në QSUT, ndërsa njëri prej të dëmtuarve po trajtohet në repartin e Kirurgjisë së Spitalit të Vlorës. Në gjendje të rëndë shëndetësore është një vajzë, e cila ka pësuar djegie në pothuajse 100% të sipërfaqes së trupit.

“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës. Dy prej tyre i nisëm në qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie dhe 3 në repartin e djegieve. Patëm lajmërim të të gjithë ekipit, ishin të gjithë në gatishmëri. Kanë mbërritur rreth orës 4 e gjysmë. Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një 50%. Ishin mosha të reja, 25-30 vjeç. Ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri pacient nga Rrësheni”, thotë shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj.

Ora 07:08
Zjarri në hotelin në Vlorë, pushuesi nga Kosova rrëfen ngjarjen: Ishim në gjumë, pamë tym në korridor! Kërcyem nga ballkoni (VIDEO)

 

Një prej pushuesve nga Kosova që ndodhej në hotelin i cili mori flakë në orët e para të mëngjesit rrëfen nga barela ku ndodhet në spital momentin e parë që kuptuan se kishte rënë zjarr.

“Ishim në gjumë në orën 4 të mëngjesit, nuk e di. Dolëm në korridor, pamë shumë tym. Mbyllëm derën, shkuam në ballkon, flakë. Kërcyem nga ballkoni, kam rënë në beton a nuk e di”, thotë i riu.