6 pushues janë lënduar nga zjarri që përfshiu hotelin Brooklyn në Vlorë mëngjesin e sotëm. Pesë janë dërguar në Tiranë, nga të cilët 2 prej tyre kanë pësuar djegie të rënda, ndërsa njëri është në Spitalin e Vlorës.

Zjarri, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, ka shkaktuar dëme të shumta materiale.

Njoftimi i policisë:

Sot, rreth orës 04:05, në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, ka rënë zjarr në ambientet e brendshme të një hoteli, në pronësi të shtetases M. A.

Si pasojë e zjarrit janë lënduar 6 pushues, (5 prej tyre shtetas të Kosovës dhe 1 shtetas nga Rrësheni).

Pesë nga të lënduarit janë transportuar për mjekim në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ku 2 prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore. Një shtetas po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë.

Gjithashtu, nga zjarri janë shkaktuar dëme materiale.

Nga veprimet hetimore të kryera, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes.


Lajmi kryesor:

Natë tmerri! Përfshihet nga flakët hoteli në Vlorë, pushuesit hidhen nga ballkoni për të shpëtuar! 6 të lënduar, 5 dërgohen në Tiranë, 2 në gjendje të rëndë (VIDEO)