VLORE-Një shtëpi është përfshirë nga flakët duke u djegur mëngjesin e sotëm në qytetin bregdetar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:30. Bëhet fjalë për një shtëpi private. Në momentin që banesa është përfshirë nga flakët familjarët kanë qenë zgjuar dhe kanë dalë me shpejtësi jashtë duke shpëtuar pa lëndime fatmirësisht.

Në vendin e ngjarjes, në lagjen 'Partizani' shkuan tre zjarrfikëse me 10 forca, por flakët shkaktuan dëme të konsiderueshme duke e lënë familjen në qiell të hapur. Zjarri ka nisur në kuzhinë, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkak mund të ketë qenë ndonjë shkëndijë elektrike, raporton gazetari i Report Tv në Vlorë, Armand Xhelili. 

Banesa ndodhej në një zone ku forcat zjarrfikëse kanë mbërritur me vështirësi për shkak të rrugicave të ngushta në lagjen "Partizani". Zonja e shtëpisë, Pëllumbesha Braçe tregon se djali ishte në gjumë kur ra zjarri, por fatmirësisht e ndjeu duke dalë me shpejtësi pa lëndime.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:53
Shtëpia rrezikohej nga zjarri, banorja: Do futem të marr qumështin e fëmijëve të paktën...

Banorët e lagjes 'Partizani' në Vlorë janë tmerruar mëngjesin e sotëm nga flaka që përfshiu banesën e Pëllumbesha Braçes. Zjarri u përhap me shpejtësi duke rrezikuar edhe banesat e tjera, por flakët u shuan nga zjarrfikësit. Report Tv solli pamjet e zjarrit që përpiu shtëpinë. "U çfarë flake, shikoni si dalka flaka!!!! Ra soleta dhe shtëpia komplet. Oiii, morën shtëpitë tona" dëgjohen disa nga banorët. Ndërsa një fqinje e zonjës që iu dogj shtëpia dëgjohet duke thënë 'Do futem të marr qumështin e fëmijëve të paktën të mos lë fëmijët pa qumësht', por banorët e tjerë nuk e kanë lënë që të futet në banesën e saj që ndodhej pranë asaj që u dogj.

Ora 11:14
'U bë kasaphanë'! Fqinja e gruas që iu dogj banesa tregon tmerrin: Plasi flaka...

Zjarri që ra dhe dogji shtëpinë e Pëllumbesha Braçes në Vlorë rrezikoi edhe banesat e tjera që ishin pranë. Një fqinje e zonjës që iu dogj shtëpia tregon momentet e tmerrit. "Këtu u bë kasaphanë, ulërima. Na nxorën me fëmijë me mbesa, bombola e gazit ishte brenda. Nuk na linte policia të hynim brenda, nxorën fëmijët. Për 5 minuta plasi flaka u dogjëm. Ju lutem shtetit, bashkisë vini dorën në zemër, jemi fukarenj, djali punon me bidona (mbledh kanaçe), burri i ka vdekur. Shikoni  fukarenjtë, jo të pasurit. Ndihma ka ardhur për fukarenjtë jo të pasurit" tha ajo.   

Ora 11:07
I digjet banesa në Vlorë, zonja e shtëpisë në lot: Djali ishte në gjumë...tani nuk kam ku fle

Zonja e shtëpisë, Pëllumbesha Braçe thotë se djali ishte në gjumë kur ra zjarri dhe i dogji shtëpinë e dajës, ku jetonte. Me lot në sy, gruaja kërkon ndihmë, pasi tani nuk ka ku fle, pasi ka mbetur në qiell të hapur. "Djali po flinte, mirë se e ndjeu. Ai ishte në gjumë. Nuk e pamë pse u dogj. Unë isha në oborr po ndizja zjarr, se nuk kam sobë. Dritat ishin ndezur. Të tëra me bufe janë djegur. Tani nuk kam ku të fle. Shtëpitë nuk i kam të miat, por të dajës. Isha pa shtëpi" tha ajo.