Tuneli i Llogorasë, në Vlorë do të mbyllet duke nisur që nga data 5 nëntor, me qëllim përfundimin e të gjitha punimeve të nevojshme për dorëzimin e plotë të këtij projekti.
Lajmin e ka bërë të ditur Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) me anë të një postimi në Facebook, ku kërkoi mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës.
“Pas përfundimit të sezonit veror ku hapja e Tunelit të Llogarasë lehtësoi qarkullimin e mjeteve si dhe shkurtoi kohën e udhëtimit ashtu siç ishte bërë me dije që në fillim, ju njoftojmë se:
Tuneli i Llogarasë, duke filluar që nga data 05.11.2024, do të jetë i mbyllur me qëllim përfundimin e të gjitha punimeve të nevojshme për dorëzimin e plotë të këtij projekti.
Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës”, thuhet në njoftimin e publikuar.
Tuneli i Llogorasë u hap më 5 korrik të këtij viti.Tuneli me gjatësi 6 km dhe shpejtësi maksimale të lejuar 80 km në orë, shkurton distancën nga Dukati në Palasë, nga 30 minuta në 7-8 minuta
Tuneli i Llogorasë përbëhet nga dy tunele, tuneli kryesor dhe ai i emergjencës. Si tuneli kryesor, ashtu edhe ai i emergjencës, kanë 11 tunele lidhëse me njëri-tjetrin në gjithë gjatësinë e tyre. Thellësia e vijës së projektit të tunelit është 1 kilometër nga sipërfaqja e tokës.