TURQI- 5 ditë pas asaj lëkundje tragjike, operacionet e kërkim shpëtimit për gjetjen e njerëzve janë mbyllur. Fatkeqësisht nga ajo lëkundje tragjike bilanci është tepër i rëndë, 114 persona kanë humbur jetën teksa 1035 janë lënduar, 137 prej tyre në gjendje më të rëndë të cilët janë duke marrë mjekimin në spitale.

Lajmi për përfundimin e operacioneve të kërkim shpëtimit e dha Mehmet Güllüoğlu, Kryetari i Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave në qytetin Izmir të Turqisë. Mehmet shpreh mirënjohje dhe falenderime për punonjësit dhe vullnetarët për kontributin e dhënë gjatë tragjedisë

"Ekipet e kërkim-shpëtimit përfunduan punën e tyre. Ne dëshirojmë të falënderojmë secilin punonjës dhe vullnetar që kontribuoi. Me mirënjohjen tonë më të përzemërt. Ne vazhdojmë të punojmë intensivisht për lëndë të tjera," shkruan ai në Twitter.

Turqia u godit nga një tërmet i fortë mesditën e së premtes me magnitudë 6.6 të shkallës Rihter. Pas tërmetit janë regjistruar edhe rreth 484 lëkundje të tjera duke shtuar panikun te qytetarët. Si pasojë e kësaj lëkundje tragjike  114 persona humbën jetën, teksa pati dëme të mëdha shumë ndërtesa.