Të gjitha lagjet rreth qendrës së Tiranës do të kenë një shërbim më të mirë të furnizimit me ujë të pijshëm. Bashkia e Tiranës, krahas punimeve për fazën e dytë të rehabilitimit të sheshit “Skënderbej” dhe lulishteve të tij, ka kryer edhe të gjitha punimet nëntokësore sa i përket ujësjellësit.
Punimet janë kryer përgjatë rrugës “Abdi Toptani” deri në qendër, duke bërë të mundur ndërtimin e një linje të re të furnizimit me ujë.
Në këtë hapësirë të kryeqytetit janë kryer investime hidroteknike prej UKT-së, në mënyrë që të shtohet kapaciteti i transmetimit dhe cilësia e furnizimit me ujë, jo vetëm për banorët, por edhe bizneset e zonës së qendrës të cilat tërheqin shumë turistë.
Ky investim lidh në këtë mënyrë edhe pjesën e qendrës së Tiranës me linjën kryesore të transmetimit të ujit që u ndërtua një vit më parë përgjatë rrugës “George W Bush” dhe përgjatë unazës.