TIRANË-  Socialistët nuk do të ulen në tryezën e diskutimeve për presidentit të ri me paragjykime, por të gatshëm për të gjetur një emër të përbashkët për kreun e ri të shtetit për 5 vitet e ardhshme. Nga lista, nuk përjashtohet edhe një kandidaturë që mund të vijë nga opozita, për të cilën kryeministri Edi Rama tha se nëse si do të plotësojë të gjitha kriteret për t’i dhënë “fund çmendurisë së presidentit”, PS-ja do të ishte e gatshme për ta votuar.  

“Kanë filluar bisedimet zyrtare me palët e tjera të Shqipërisë në përpjekje për të bërë një kandidaturë që kanë një konsensus. Nuk e di, nëse ka vullnet shanset janë shumë të mira, ne jemi të gatshëm që të jemi sa më të hapur, në funksion të zgjedhjet se një presidenti që të garantojë mbylljen me sukses të një kapitulli çmendurie në krye të shtetit”, tha Rama.

Pyetur nga gazetarët nëse do t’i ndalojë turistët rusë pas kërkesës së bërë një ditë më parë nga presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky, gjatë fjalës së tij të mbajtur para deputetëve shqiptarë, Rama tha se do të jetë në të njëjtën linjë me BE, dhe aktualisht Bashkimi Europian nuk ka marrë një masë të tillë.

“Vendimet tona jenë të linjëzuara me vendimet e BE, për sa kohë nuk ka një vendim të linjëzuar nga BE ne kemi vazhduar të njëjtën rrugë. Nëse do të ketë një vendim të linjëzuar ne do të ndjek të njëjtën rrugë”, tha kryeministri.

Ndalur këtu, te lufta në Ukrainë, Rama tha se Shqipëria do të jetë një nga vendet që do të kontribuojë financiarisht për popullin ukrainas në konferencën e Donatorëve që do të mbahet ditën e nesërme në Varshavë. Se sa do të jetë shifra, Rama nuk e bëri të ditur.

“Nesër do të udhëtojë në Varshavë për Konferencën e Donatorëve. Do jetë ndihmë monetare për Ukrainën”, tha Rama.

Këto deklarata, shefi i qeverisë i bëri në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së PS-së, në të cilën një fokus të veçantë patën edhe zgjedhjet për krerët e rinj të degëve, të cilët u shkarkuan në Kongresin e 9 prillit. Ndërkohë, të shtunën pritet të zhvillohet Asambleja e Partisë Socialiste, ku në fokus do të jetë ratifikimi i një sërë vendimesh të artikuluara në Kongresin socialist.

Axhenda  e asamblesë në 7 Maj

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:41
Do e miratojnë kandidaturën për president që vjen nga PD? Përgjigjet Rama: Nuk do të paragjykojmë, japim 100% miratimin tonë nëse është e pëlqyeshme

 

I pyetur se sa e gatshme do të jetë PS për të miratuar një kandidaturë për president që do të vijë nga PD, kryeministri Edi Rama tha se nuk do të ulen në tryezë me paragjykime dhe do të japin miratimin. Në rast se nuk bien dakord me opozitën për një kandidaturë, kryeministri Edi Rama përmendi sërish se PS i ka votat për të zgjedhur vetë presidentin dhe nuk do të varet nga të tjerët.

"Ne nuk jemi ulur në tryezë me paragjyukime, do të gjykojmë me emra, nuk do të paragjykojmë se nga vijnë propozimet përderisa jemi ulur në tryezë me palë të tjera për aq kohë sa janë përballë nesh me arenën politike dhe në këtë cështje jemi në një tryezë, ndaj nuk kemi pse japim përqindje.

Nëse do të ketë kandidaturë të pëlqyeshme, do të japim 100% miratimin tonë. Nëse nuk do të ketë kandidaturë të pëlqyeshme, do të bëjmë propozimet tona. Nëse atyre i pëlqen një propozim i yni, do të kemi mbështetjen e tyre.. Nëse jo, falë ndryshimeve kushtetuese që u bënë në 2008, janë më shumë se 71 vota në parlament dhe Shqipëria do të ketë një president normal", tha Rama.

Ora 17:26
Rama për raportin e 'Gazetarëve pa Kufij': Në asnjë vend të rajonit, mediat nuk e kanë lirinë si në Shqipëri dhe këtë s'e luan topi! Nuk shoh asnjë shqetësim

 

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur raportit të organizatës Gazetarët pa Kufij që e radhit Shqipërinë dhe Kosovën në mesin e vendeve problematike për lirinë e shtypit. Rama tha se i beson vetëm raportit të BE ndërsa shtoi se nuk i duket shqetësuese situata e medias në Shqipëri pasi vitin e kaluar nuk është kërcënuar asnjë gazetar.

"Në asnjë vend të rajonit, mediat nuk e kanë lirinë që e kanë në Shqipëri. Për këtë nuk ka raport. Nuk ka top që e luan këtë pavarësisht se çfarë thonë raportet. Nëse dëshironi, mund të nis me raportin e BE ku një grup i tërë njerëzish punon për raportin bazuar në fakte e argumenta, jo mbi perceptime e axhenda.

Me të gjithë respektin, por në këto vite leximi kam mësuar të jem selektiv se një pjesë e këtyre raporteve nuk janë të besueshëm. Nuk shoh asnjë shqetësim për situatën e medias në Shqipëri, përveç se çdo ditë shtohen viktimat e abuzimeve, shpifjeve, fabrikimeve, bullizmit ndërsa vitin e kaluar nuk ka pasur asnjë gjyq ndaj asnjë gazetari, nuk ka pasur asnjë gazetar të kërcënuar. Kush bën raportet ka të dhëna të padeklaruara, do i lutesha të vinte në dispozicion këto të dhëna", tha Rama.

Ndërsa për reportazhet për krimin e organizuar, u shpreh se nuk i beson asgjëje që nuk ka fakte.

"Kam parë shumë nga këto reportazhe, por faktet kanë rëndësi për mua dhe këto i keni në të gjitha raportet e progreset të BE dhe nga ecuria e luftës me krimin, drogën. Liria e medias dhe reportazhet e lira janë një çështje që ka problematikën e vet kudo, edhe në Gjermani", tha Rama.

Ora 17:21
Konferencë e Donatorëve në Varshavë për Ukrainën, Rama: Shqipëria do të kontribuojë me një ndihmë monetare

 

Nesër mbahet Konferenca e Donatorëve në Varshavë, lidhur me ndihmat që do t’i ofrohen Ukrainës, teksa kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se edhe Shqipëria do të ndihmojë me një shifër monetare, por pa specifikuar shifrën.

“Do jetë ndihmë monetare për Ukrainën”, tha Rama.