Në Mitrovicën e Veriut ka përfunduar mbledhja e nënshkrimeve të peticionit për shkarkimin e kryetarit të komunës nga radhët e komunitetit shqiptar, Erden Atiq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Sanja Kërtiniq, një nga nismëtaret e kërkesës për peticionin i cili nisi të nënshkruhej më 17 janar.
Ajo nuk ka specifikuar saktësisht se sa qytetarë kanë nënshkruar peticionin, por tha se janë të kënaqur me nënshkrimet dhe se kanë mbledhur më shumë se numri minimal i kërkuar, që është 20 për qind e votuesve të regjistruar.
Një peticion me së paku 20 për qind të votuesve të regjistruar duhet t'i dorëzohet kryetarit të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Pas dorëzimit të peticionit me nënshkrime, kryetari i kuvendit ka tre ditë kohë për t'ia përcjellë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shqyrtim dhe verifikim.
Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Përveç në Mitrovicë të Veriut, nënshkrimi i peticionit më 17 janar kishte filluar edhe në Leposaviq, ndërsa sot, më 19 janar, në Zveçan dhe Zubin Potok.
Kryetarët shqiptar u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.
Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Bashkësia ndërkombëtare kishte kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.
Peticioni është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet dhe përfaqësuesit e saj u larguan nga institucionet e Kosovës dhe nxitën largimin edhe të serbëve të tjerë.
Sipas gazetarëve të Radios Evropa e Lirë, Mitrovica e Veriut është komuna në të cilën ka interesim të madh të qytetarëve për të nënshkruar peticionin.
Sipas KQZ-së, në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.
Në komunën e Leposaviqit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.
Në Zubin Potok peticionit duhet t'i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar. E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi javën e kaluar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë afat për të mbledhur nënshkrime deri më 22 janar. Ai shtoi se afati për qytetarët e komunës së Zveçanit është më i gjatë për rreth pesë ditë, për shkak në KQZ është dorëzuar më vonë kërkesa për të ditur numrin e saktë të votuesve të regjistruar.
Nënshkrimet për largimin e tyre tani po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023.
Lista Serbe kishte iniciuar largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 dhe më pas kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të prillit të vitit të kaluar. Largimi nga institucionet u bë në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës lidhur me ndërrimin e targave të makinave nga ato të lëshuara nga Serbia në ato që lëshohen nga Kosova, por që atëherë kjo çështje është zgjidhur.
Mirëpo, në mesin e tetorit të vitit 2023, kjo parti deklaroi se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet në komunat në veri, pa vendosur asnjë kusht për pjesëmarrje në zgjedhje, siç kishte bërë më herët.
Ky qëndrim i kësaj partie u mor pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje përfaqësuesve serbë në veri të Kosovës që të inicionin mbajtjen e zgjedhjeve të reja në mënyrë që “levat kryesore të pushtetit të jenë në duart e tyre”.
Kësaj thirrjeje i parapriu një sulm i armatosur në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, kur një grup serbësh sulmuan Policinë e Kosovës duke vrarë një polic. Përgjegjësinë për sulmin e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq./ REL