Një mision hapësinor që pritej të përfundonte muajin e ardhshëm u ndërpre papritur kur një prej astronautëve në bordin e anijes së misionit Crew 11 shfaqi probleme serioze shëndetësore, duke detyruar NASA-n të ndërmarrë misionin e parë të evakuimit mjekësor nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës (ISS) në 25 vitet e fundit.

Kapsula e SpaceX
Kapsula e SpaceX, me ekuipazhin në bord ankoroi me sukses në Oqeanin Paqësor, në brigjet e Kalifornisë.
Për arsye privatësie, autoritetet amerikane nuk kanë dhënë as emrin e astronautit dhe as detaje mbi gjendjen mjekësore të tij duke sqaruar vetëm se ai ndodhet në gjendje të qëndrueshme dhe se problemi nuk lidhet me punën në Stacionin e Hapësirës, me përgatitjet për ecje hapësinore apo me ndonjë traumë.

Astronautët brenda në kapsulë
Në bord të kapsulës ndodheshin astronautët e NASA-s Zena Cardman dhe Mike Fincke, astronauti i agjencisë japoneze JAXA, Kimiya Yui, si dhe kozmonauti i agjencisë ruse Roscosmos, Oleg Platonov. Më 1 gusht të vitit 2025, ata u nisën nga Kennedy Space Center për në hapësirë. Misioni i tyre ishte planifikuar të përfundonte pas mbërritjes së ekuipazhit zëvendësues.
Me të dalë nga kapsula, astronautët utransportuan me helikopter drejt një strukture mjekësore, ku do të qëndrojnë për disa orë nën vëzhgim, përpara rikthimit në Houston, ku misioni do të mbyllet zyrtarisht.
NASA e përshkroi operacionin si një “evakuim i kontrolluar mjekësor”, duke theksuar se nuk bëhej fjalë për një dalje urgjente nga orbita. . Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, sqaroi se vendimi u mor pasi në ISS mungon kapaciteti për diagnostikim dhe trajtim të plotë të këtij problemi shëndetësor.
Në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar ndodhen vetëm pajisje mjekësore bazë, si defibrilator, elektrokardiograf dhe ekograf, ndërsa mungojnë aparatura të avancuara si radiografia apo rezonanca magnetike.
Aktualisht, ISS ka mbetur me një ekuipazh të reduktuar prej tre astronautësh, në pritje të mbërritjes së ekipit të ri në muajin shkurt.
Komente











