Kompania SpaceX e Elon Musk ka aplikuar për të lëshuar një milion satelitë në orbitën e Tokës për të fuqizuar inteligjencën artificiale.
SpaceX pretendon se qendrat orbitale të të dhënave janë mënyra më ekonomike dhe më efikase nga ana e energjisë për të përmbushur kërkesën në rritje për fuqinë kompjuterike të inteligjencës artificiale.
Qendra të tilla janë magazina të mëdha plot me kompjuterë të fuqishëm që përpunojnë dhe ruajnë të dhëna. Sipas SpaceX, nevojat e përpunimit për shkak të përdorimit në rritje të inteligjencës artificiale tashmë po i tejkalojnë "aftësitë tokësore".
Kjo do të rriste në mënyrë drastike numrin e satelitëve SpaceX në orbitë. Rrjeti ekzistues Starlink prej gati 10 mijë satelitësh është akuzuar tashmë për krijimin e mbingarkesës në hapësirë, gjë që Musk e mohon.
Rrjeti i ri mund të përfshijë deri në një milion satelitë me energji diellore, sipas kërkesës së paraqitur të premten në Komisionin Federal të Komunikimeve, i cili nuk specifikon një afat kohor për planin.
SpaceX thotë se sistemi do të ofrojë kapacitetin kompjuterik të nevojshëm për t'i shërbyer "miliarda përdoruesve në nivel global".
“Satelitët në fakt do të jenë aq larg njëri-tjetrit sa do të jetë e vështirë të shihen nga njëri tek tjetri. Hapësira është aq e gjerë sa është përtej të kuptuarit.”, tha Elon Musk në rrjetin social X.
Ashtu si satelitët Starlink, të cilët ofrojnë internet me shpejtësi të lartë, ata do të operojnë në orbitën e ulët të Tokës në lartësi nga 500-2,000 km.
Komente










