Seanca e Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, ka përfunduar. Seanca u mbajt në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndërsa e ardhshmja do të zhvillohet më 11 shkurt. Kjo ishte e para seancë për vitin 2026.

Naim Murseli dha dëshminë e tij para trupit gjykues duke thënë se çifti ka pasur një martesë të mirë dhe të lumtur, raportojnë mediat në Kosovë.

“Me Liridonën jemi fejuar në vitin 2010 dhe jemi martuar më 11 dhjetor 2011, që i bie kam pasur 12 vite martesë me Liridonën dhe si rezultat i asaj martese kemi dy fëmijë, dhe marrëdhënia ime me Liridonën ka qenë shumë e mirë, e lumtur. Liridona ka qenë një grua e mrekullueshme, një nënë e përkushtuar dhe një bashkëshorte e devotshme. Ne kemi jetuar në Suedi ku Liridona pas 3 vitesh qëndrim, është bërë edhe shtetase suedeze, pra si pasojë e martesës sonë”, tha ai.

Sipas tij, Liridona Ademaj pati vështirësi për t’u bërë nënë, një periudhë që zgjati rreth 5 vjet.

“Dëshira e saj më e madhe ishte të bëhej nënë dhe kishte probleme për të ngelur shtatzënë dhe 5 vitet e para jam marrë shumë me të nëpër spitale dhe më në fund në vitin 2017, iu realizua ëndrra, u bë nënë e unë u bëra baba. Pas fëmijës së parë, pas 1 viti e gjysmë, deshi Zoti edhe fëmija i dytë dhe kemi jetuar së bashku krejt kohën. Nuk ka pasur asnjëherë ndonjë ndarje apo diçka tjetër, çdo gjë ka qenë në rregull mes nesh siç e ka thënë edhe dëshmitari Kokalla dhe vetë Leonardi. Kjo është e vërteta, asnjëherë nuk është ankuar sepse asnjëherë në jetën time, larg qoftë të ushtroja dhunë, ato gjëra nuk kanë ekzistuar në marrëdhënien tonë”, deklaroi Murseli.

Murseli është i akuzuari kryesor për vrasjen e 30-vjeçares, por mohoi kategorikisht se ekzistonte një marrëveshje. Prokuroria pretendon se ka pasur një marrëveshje që krimi të kryhej nga Granit Plava në këmbim të 30 mijë eurove, ndërsa arma dyshohet se ishte siguruar nga Naim Murseli përmes Kushtrim Kokallës.

Sipas Murselit, në momentin e vrasjes së saj, ai dhe fëmijët nuk gjendeshin në makinë. "Ju betohem në dy fëmijët e mi, Naim Murseli nuk ka qenë në veturë në momentin e vrasjes, kam qenë së paku 20 metra larg, dhe as fëmijët, shyqyr Zotit, nuk e kanë parë ngjarjen”, tha ai.

Në seancën paraardhëse, u paraqitën video që tregojnë takimet dhe lëvizjet e të akuzuarve para ngjarjes. Mes pamjeve ishin edhe momente nga darka e Liridonës me familjen, si dhe lëvizje që lidhen me të akuzuarin Granit Plava.