Kinë - Samiti historik mes presidentit amerikan Donald Trump, presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit kinez Xi Jinping në Shenzhen të Kinës është mbyllur me miratimin e një “Deklarate të paqes” me katër pika. Në qendër të dokumentit janë armët bërthamore, furnizimet me naftë, reforma e OKB-së dhe imuniteti i zyrtarëve shtetërorë.

“Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të ndodhë kurrë”, thuhet në deklaratën e përbashkët, të publikuar në faqen e Kremlinit dhe të transmetuar nga televizioni shtetëror kinez CCTV.

Tre vendet angazhohen të zhvillojnë dialog për të ulur rreziqet bërthamore dhe për të parandaluar përhapjen e këtyre armëve. Dokumenti parashikon gjithashtu rritjen e prodhimit dhe furnizimit me produkte nafte në dobi të të gjitha shteteve, si dhe garantimin e furnizimeve të qëndrueshme me energji.

SHBA-ja, Rusia dhe Kina shprehin angazhimin edhe për reformimin e OKB-së, në mënyrë që organizata t'u përgjigjet më mirë sfidave globale dhe të përmbushë misionin e saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Pika e katërt lidhet me respektimin e imunitetit të zyrtarëve shtetërorë. Sipas deklaratës, Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe institucione të ngjashme nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre.

Gjatë samitit, presidenti amerikan foli për uljen e numrit të armëve bërthamore dhe rrezikun e përdorimit të tyre.

“Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara po diskutojnë se si të zvogëlojnë numrin e armëve bërthamore në botë dhe gjithashtu të zvogëlojnë rrezikun që këto armë të përdoren ndonjëherë me një fuqi të papërshkrueshme. Ne kemi shqyrtuar mundësinë e reduktimit të armëve. Po ju them qartë, do të jetë një gjë shumë e vështirë për t'u bërë, sepse sapo të keni armë bërthamore, është e vështirë të hiqni dorë prej tyre”, deklaroi Trump.

Ndërsa Xi Jinping kërkoi që tre vendet të bashkëpunojnë më shumë për paqen dhe stabilitetin botëror.

“Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të japin shembull në bashkëpunim për t'u përballur me sfidat globale, për të ruajtur së bashku paqen dhe stabilitetin botëror dhe për të dhënë kontribute më të mëdha në progresin njerëzor”, tha presidenti kinez.

Në përfundim të takimit, presidenti kinez e cilësoi samitin “pozitiv, konstruktiv dhe me rezultate domethënëse”, duke theksuar se tre vendet ndajnë të njëjtin vizion për ruajtjen e paqes botërore.

Nga ana e tij, presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi takimin trepalësh si “një faqe në historinë e diplomacisë”. Në një konferencë për shtyp, ai u shpreh optimist për përmirësimin e marrëdhënieve me Amerikën nën administratën Trump, ndërsa për Ukrainën dha një mesazh që bota duhet t'i pranojë realitetet në terren. 

Takimi i së enjtes u zhvillua në kuadër të samitit APEC dhe përfshiu diskutime edhe për luftën në Ukrainë, Iranin dhe Gadishullin Korean. Megjithatë sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, Ukraina nuk ishte tema qendrore e bisedimeve.

lajm ne perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:45
'Ata kanë qenë të këqinj', Trump: Pas 1 janarit do të shohim çfarë do të ndodhë me Iranin

1795106844_trump.JPG

Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë e zhvillimeve të reja në konfliktin me Iranin pas datës 1 janar, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të shohin se si do të evoluojë situata, pa dhënë detaje se çfarë nënkupton konkretisht kjo datë.

“Do të kemi një vit të ri që po afron dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë pas 1 janarit. Por ata kanë qenë të këqij”, deklaroi Trump për Fox News, gjatë vizitës së tij në Kinë.

Deklaratat vijnë në një kohë kur tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë të mbeten të larta, ndërsa presidenti amerikan ka alternuar kërcënimet për përshkallëzim të mëtejshëm me sinjale se mund të ketë një ulje të armiqësive. Deri më tani, palët nuk kanë arritur të kapërcejnë ngërçin në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit.

Gjatë intervistës Trump u pyet edhe për një raportim të CNN-it, sipas të cilit Irani dyshohet se po planifikonte shpërthimin e një “bombë të ndyrë” në Uashington. Kjo lloj arme përdor eksplozivë konvencionalë për të përhapur materiale radioaktive.

I pyetur nëse qytetarët në kryeqytetin amerikan duhet të shqetësohen nga një kërcënim i tillë, Trump u përgjigj: “Nuk mendoj kështu”.

Megjithatë, ai pretendoi se kishte indikacione se Irani po shqyrtonte mundësinë e zhvillimit të armëve biologjike dhe kimike, pa paraqitur hollësi apo prova publike për këto pretendime.

“Ka indikacione se Irani po shqyrton gazrat, po shqyrton bio-n, sepse ne i kemi përjashtuar ata me armën bërthamore. Armët bërthamore janë shumë më të vështira. Dhe ata po shqyrtojnë gazin dhe... armët biologjike - jo të mira - dhe gjëra të tjera”, tha Trump.

Ora 14:11
Trump, Putin dhe Xi lënë Ukrainën e Europën në hije? Analiza: 'Deklarata e paqes' favorizon fuqitë e mëdha

“Deklarata e paqes” e miratuar nga Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping në Kinë mund të shënojë një ndryshim në mënyrën se si merren vendimet për çështjet ndërkombëtare, duke i dhënë më shumë peshë tri fuqive të mëdha dhe duke lënë në hije Ukrainën dhe Europën. Ky është vlerësimi i gazetarit Federico Fubini në një analizë për gazetën italiane Corriere della Sera.

Sipas Fubinit, pika e deklaratës që parashikon rritjen e furnizimit me produkte nafte dhe garantimin e rrjedhës së qëndrueshme të energjisë mund të shihet si një hap drejt dobësimit të sanksioneve ndaj naftës ruse. Ai e interpreton këtë pjesë edhe si një kundërshtim të sulmeve ukrainase ndaj rafinerive ruse dhe, ndoshta, të bllokadës së Ngushticës së Hormuzit. Autori vëren gjithashtu se pas deklaratës kanë rënë ndjeshëm çmimet e naftës dhe të dizelit.

Një tjetër pikë që ngre shqetësime, sipas analizës, është qëndrimi i tre liderëve ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Duke theksuar rëndësinë e imunitetit të përfaqësuesve shtetërorë, deklarata, sipas Fubinit, dobëson rolin e kësaj gjykate dhe të institucioneve të ngjashme. Ai e sheh këtë si një goditje ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare mbi të cilat mbështetet Europa.

Edhe angazhimi për reformimin e OKB-së interpretohet nga gazetari si një sinjal se Trump, Putin dhe Xi Jinping synojnë një rend ndërkombëtar ku vendimet kryesore merren nga fuqitë e mëdha, pa një rol të barabartë për vendet europiane.

Për Fubinin, samiti i Shenzhenit nuk ishte thjesht një takim për fotografi, por një zhvillim me peshë për marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ora 13:41
Pas samitit me Trump dhe Xi, Putin jep mesazhin për luftën në Ukrainë: Duhet të pranohet realiteti i krijuar në terren! Çfarë kishte të keqe Jalta?

“Kur bëhet fjalë për konfliktet e sotme, realitetet në terren do të duhet të pranohen”. Kështu deklaroi presidenti rus Vladimir Putin pas samitit me Donald Trump dhe Xi Jinping në Kinë, në një mesazh që BBC e interpreton si referencë ndaj luftës në Ukrainë.

Putin iu përgjigj edhe krahasimeve të takimit trepalësh me Konferencën e Jaltës të vitit 1945, ku udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe diskutuan në fund të Luftës së Dytë Botërore.

“Çfarë kishte të keqe Jalta?”, pyeti ai, duke argumentuar se ajo konferencë sanksionoi fitoren ndaj nazizmit dhe krijoi kushtet për themelimin e OKB-së. Putin tha se do ta konsideronte të drejtë të sanksionohej edhe një fitore ndaj asaj që ai e quan “neonazizëm”.

Presidenti rus mohoi gjithashtu se takimi në Kinë kishte për qëllim ndarjen e botës mes tri fuqive, duke deklaruar se as në Jaltë nuk u nda bota, por u njohën realitetet e krijuara pas luftës.

Ora 13:25
Teknologjia bërthamore, Putin: Rusia është një vend lider! Marrëdhëniet me SHBA-në mund të përmirësohen

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Rusia ka avantazh në fushën bërthamore, pasi është një vend udhëheqës në teknologjinë bërthamore dhe përdorimin paqësor të energjisë bërthamore. Duke folur pas samitit trepalësh me Donald Trump dhe Xi Jinping në Shenzhen të Kinës, Putin tha se gjatë takimit u diskutuan reforma e OKB-së, çështjet e sigurisë dhe parandalimi i përhapjes së armëve bërthamore. Sa u përket marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, presidenti rus u shpreh se ato mund të përmirësohen, ndërsa shtoi se qasja e administratës Trump ndaj Moskës i jep arsye për optimizëm.

Ora 13:21
'Ukraina dhe Europa nuk janë gati për kompromis', Putin pas samitit me Trump dhe Xi: Ne jemi të gatshëm të diskutojmë!

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi pas samitit trepalësh me Donald Trump dhe Xi Jinping në Shenzhen se “Ukraina dhe Europa nuk janë ende gati të bëjnë kompromise për zgjidhjen e konfliktit”.

Ai theksoi se Rusia është e gatshme ta diskutojë këtë çështje me partnerët në kuadër të bisedimeve që po zhvillohen. Putin u shpreh gjithashtu se nuk ka dyshime që Trump është sinqerisht i angazhuar për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë dhe për vendosjen e bashkëpunimit mes Rusisë dhe SHBA-së.

Megjithatë, Ukraina nuk është përmendur deri tani në deklaratat e përbashkëta përfundimtare të samitit. Presidenti rus e cilësoi takimin me Trump dhe Xi Jinping si “një faqe në historinë e diplomacisë” dhe shprehu dëshirën që takimet trepalëshe të vazhdojnë.

Ora 12:50
'Lufta bërthamore nuk ka fitues', çfarë përmban 'Deklarata e paqes' e Trump-Putin-Xi? Nga nafta te OKB-ja, këto janë katër çështjet kryesore

“Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të ndodhë kurrë”. Ky është mesazhi kryesor i “Deklaratës së paqes”, të miratuar nga Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping në përfundim të samitit trepalësh në Shenzhen të Kinës.

Dokumenti është publikuar në faqen zyrtare të Kremlinit dhe është transmetuar nga televizioni shtetëror kinez CCTV. Por deklarata nuk ndalet vetëm te armët bërthamore. Tre liderët kanë rënë dakord edhe për bashkëpunim në sektorin e naftës, furnizimet me energji, reformimin e OKB-së dhe respektimin e imunitetit të zyrtarëve shtetërorë.

Për çështjen bërthamore, SHBA-ja, Rusia dhe Kina angazhohen të zhvillojnë dialog për të ulur rreziqet dhe për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore. Sa i përket naftës, tre vendet synojnë të rrisin prodhimin dhe furnizimin me produkte nafte në dobi të të gjitha shteteve, duke theksuar rëndësinë e garantimit të furnizimeve të qëndrueshme me energji.

Një tjetër pikë e deklaratës lidhet me Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, tre vendet shprehen të gatshme të angazhohen për reformimin e OKB-së, në mënyrë që ajo t'u përgjigjet më mirë sfidave globale dhe të përmbushë misionin e saj për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Deklarata përfshin edhe një qëndrim për Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Trump, Putin dhe Xi Jinping theksojnë se respektimi i imunitetit të zyrtarëve shtetërorë dhe parimi i pëlqimit të shteteve janë të një rëndësie themelore. Sipas dokumentit, Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe institucione të tjera të ngjashme nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre.

Megjithëse lufta në Ukrainë dhe konflikti në Iran ishin ndër çështjet e diskutuara gjatë samitit, asnjëra nuk është përfshirë në mënyrë konkrete në “Deklaratën e paqes”. Dokumenti nuk përmban asnjë referencë të drejtpërdrejtë për Ukrainën, ndërsa për Iranin nuk është njoftuar ndonjë angazhim konkret nga tre liderët.

Ora 11:07
Kinë, përfundon pas një ore takimi Trump-Xi-Putin! Çështjet që u diskutuan

Takimi trepalësh midis Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Vladimir Putin të Rusisë dhe udhëheqësit kinez Xi Jinping ka përfunduar , sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV. Takimi zgjati një orë e 20 minuta.

Udhëheqësit mbajtën fjalimet hapëse para bisedimeve, duke thënë se do të diskutonin çarmatimin bërthamor dhe luftën Rusi-Ukrainë, ndër tema të tjera.

Të gjithë theksuan nevojën për angazhim midis tre kombeve kryesore të armatosura bërthamore.

Ora 10:45
Takimi trepalësh në Kinë, presidenti Xi: Ndërveprimi midis fuqive nuk është më një opsion, por një domosdoshmëri

Foto: Vladimir Putin, Xi Jinping dhe Donald Trump

Ndërveprimi pozitiv midis fuqive të mëdha nuk është më një opsion, por një domosdoshmëri. Kështu tha presidenti kinez Xi Jinping në hapje të samitit me Vladimir Putin dhe Donald Trump.

"Njerëzimi jeton në të njëjtin fshat global; ne të gjithë jemi të ndërlidhur, duke ndarë prosperitet dhe vështirësi, një komunitet me një të ardhme të përbashkët. Në këtë fshat global, fuqitë e mëdha kanë përgjegjësi të veçanta. Ndërveprimi pozitiv nuk është më një opsion, por një domosdoshmëri", tha ai.

Udhëheqësi i Pekinit theksoi se "në vitet e fundit, Kina ka promovuar Partneritetin Gjithëpërfshirës Strategjik të Koordinimit për një Epokë të Re me Rusinë dhe ka promovuar formimin e një marrëdhënieje të fuqive të mëdha të karakterizuara nga bashkëjetesa paqësore, stabiliteti global dhe zhvillimi i ekuilibruar".

"Megjithatë, bota po kalon ndryshime të shpejta dhe nuk është në paqe. Vështirësitë zbulojnë karakterin e vërtetë. Si fuqi të mëdha botërore dhe anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara duhet të japin një shembull të mirë, të bashkëpunojnë për të adresuar sfidat globale, të mbrojnë së bashku paqen dhe stabilitetin botëror dhe të japin kontribute më të mëdha në përparimin e njerëzimit"", shtoi ai.

Ora 10:41
Putin në takimin me Xi dhe Trump: Ne i kemi kushtuar shumë vëmendje Ukrainës

Foto: Vladimir Putin

Presidenti rus Vladimir Putin tha në nisje të takimit me Xi dhe Trump në Kinë se luftës në Ukrainë i është kushtuar vëmendje të konsiderueshme.

“Sot, me iniciativën e Presidentit Trump, i kemi kushtuar vëmendje të konsiderueshme konfliktit në Ukrainë”, tha Presidenti rus Vladimir Putin në Shenzhen, në margjinat e samitit të APEC.

Ora 10:12
Momenti i veçantë gjatë takimit në Kinë, Trump kap për dore presidentin Xi Jinping për ta ndihmuar të ngjitet në shkallët lëvizëse (VIDEO)

Takimi mes tre njerëzve më të fuqishëm të botës në Shenzhen të Kinës është shoqëruar edhe me momente ‘të pazakonta’.

Një prej këtyre momenteve vjen nga takimi i Presidentit Donald Trump me atë kinez Xi Jinping, në margjinat e samitit të APEC, që u kap në kamera.

Trump shihet duke i kapur dorën Presidentit kinez për ta ndihmuar të ngjitet në një shkallë lëvizëse.

Ora 10:04
Takimi trepalësh në Kinë, Trump: Do të diskutojmë për reduktimin e armëve bërthamore me Kinën dhe Rusinë, por do të jetë e vështirë

1795077968_trump.JPG

Foto: Donald Trump

Donald Trump gjatë takimit trepalësh me Xi Jinping dhe Vladimir Putin tha se në fokus të diskutimeve do jetë edhe reduktimi i armëve bërthamore.

Presidenti amerikan theksoi se do të jetë paksa e vështirë por theksoi se do të ‘punojnë së bashku për të luftuar kërcënimin e përhapjes bërthamore në çdo vend të botës.

"Fuqitë më të mëdha bërthamore në botë deri më tani - Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara - po diskutojnë se si të zvogëlojnë numrin e armëve bërthamore në botë dhe gjithashtu të zvogëlojnë rrezikun që këto armë të përdoren ndonjëherë me një fuqi të papërshkrueshme. Ne kemi shqyrtuar potencialin për reduktimin e armëve. Po ju them qartë, do të jetë një gjë shumë e vështirë për t'u bërë, sepse sapo të keni armë bërthamore, është e vështirë të hiqni dorë prej tyre", tha Trump.

Ora 09:56
Takimi trepalësh Xi-Trump-Putin, presidenti amerikan: Do të flasim për të gjitha problemet e botës! Po bëjmë histori

Foto: Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump gjatë takimit me presidentin kinez Xi Jinping dhe Vladimir Putin tha se bisedojnë për të gjitha problemet e botës.

"Do të flasim për të gjitha problemet e botës, do të shohim nëse mund të arrijmë diçka. Jam i kënaqur që ky udhëtim, sepse sot ne, në shumë mënyra, po bëjmë histori", tha Trump.

Ora 09:55
Putin në takimin me Xi dhe Trump: Rusia, SHBA-të dhe Kina rol themelor në zgjidhjen e konflikteve

1795077947_putin.JPG

Presidenti rus Vladimir Putin tha në hapje të samitit trepalësh me Donald Trump dhe Xi Jinping në Shenzhen se Rusia, SHBA-ja dhe Kina kanë përgjegjësi të përbashkët për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe rol kyç në zgjidhjen e konflikteve.

Putin tha se, me nismën e Trumpit, bisedimet u përqendruan te lufta në Ukrainë.

“Jam i bindur se Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë zgjidhje që u përgjigjen kërkesave të sigurisë në botë”, deklaroi Putin.

“Vendet tona janë fituese të Luftës së Dytë Botërore. Kemi një përgjegjësi të përbashkët për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe është detyra jonë të forcojmë të drejtën ndërkombëtare. Vendet tona kanë shumë interesa të përbashkëta në zgjidhjen e konflikteve, përfshirë atë në Ukrainë. Sot, me nismën e Trumpit, jemi përqendruar pikërisht te kjo çështje”, tha presidenti rus.

Ora 09:43
Nis samiti trepalësh, takimi historik mes Xi Jinping, Trump dhe Putin

Në Shenzhen ka nisur samiti i parë trepalësh mes Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin. Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë janë mbledhur në Kylin Villa, rezidenca zyrtare e qeverisë kineze në pjesën veriperëndimore të Shenzhenit, në kuadër të samitit të 33-të të udhëheqësve të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).

Tre presidentët janë ulur rreth një tryeze të madhe të rrumbullakët, ndërsa delegacionet përkatëse qëndrojnë në njëfarë largësie. Xi është ulur në mes, me Putinin në të djathtë dhe Trumpin në të majtë. Pekini e ka cilësuar takimin mes udhëheqësve të tri fuqive më të mëdha bërthamore në botë si një samit "me rëndësi historike".

Në fjalët e para, Xi Jinping u bëri thirrje Trumpit dhe Putinit.

"Duhet të nxjerrim mësime nga historia. Vendet e mëdha mbajnë përgjegjësi të përbashkët", tha ai.

Ora 09:11
Trump takon Putin dhe Xi Jinping në Kinë! Nga Ukraina te Irani, çfarë u diskutua pas dyerve të mbyllura?

Foto: Donald Trump dhe Xi Jinping

Në margjinat e samitit të APEC-ut në Shenzhen, presidenti amerikan Donald Trump zhvilloi takime me presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping, në prag të takimit trepalësh mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës. Në qendër të diskutimeve ishin disa prej çështjeve më të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë, zhvillimet në Lindjen e Mesme, tregtinë ndërkombëtare, sigurinë energjetike dhe kontrollin e armëve bërthamore. Takimet zhvillohen në një moment të rëndësishëm për marrëdhëniet mes tri fuqive të mëdha botërore.

Takimi Trump-Putin zgjat rreth 40 minuta

Takimi mes Donald Trump dhe Vladimir Putin zgjati rreth 40 minuta dhe nuk u konsiderua një takim i mirëfilltë dypalësh. Sipas Kremlinit, diskutimet u përqendruan kryesisht te lufta në Ukrainë. Këshilltari diplomatik rus, Yuri Ushakov, bëri të ditur se dy liderët diskutuan për konfliktin.

Megjithatë, nuk u njoftua për ndonjë marrëveshje apo përparim konkret drejt një zgjidhjeje diplomatike. Çështja e Ukrainës mbetet një nga sfidat kryesore për administratën amerikane, ndërsa Moska vazhdon të kërkojë që çdo marrëveshje e mundshme të marrë parasysh kërkesat e saj territoriale dhe të sigurisë. Trump e cilësoi marrëdhënien me presidentin rus si të mirë dhe afatgjatë, duke shprehur besimin se bashkëpunimi mes tyre mund të sjellë rezultate pozitive.

Trump-Xi, fokus te tregtia dhe siguria energjetike

Ndryshe nga takimi me Putinin, biseda mes Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping ishte një takim i mirëfilltë dypalësh, i shoqëruar edhe me një mëngjes pune.

Në fokus ishte situata në Lindjen e Mesme dhe ndikimi i luftës në Iran në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Trump theksoi rëndësinë e garantimit të lundrimit të lirë të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, një korridor strategjik për furnizimin global me energji.

U diskutua gjithashtu për luftën në Ukrainë. Trump deklaroi se të dyja palët po përpiqen të japin kontributin e tyre për t'i dhënë fund konfliktit. Sa i përket marrëdhënieve ekonomike, presidenti amerikan e përshkroi raportin tregtar mes Uashingtonit dhe Pekinit si më të balancuar dhe më të drejtë.

Nga ana e tij, Xi Jinping shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me SHBA-në, me synimin për t'i orientuar marrëdhëniet mes dy vendeve drejt një rruge të qëndrueshme.

Ai theksoi se Kina dhe SHBA-ja kanë përcaktuar një koncept të ri të marrëdhënieve konstruktive, të bazuar në stabilitetin strategjik, respektin, barazinë dhe reciprocitetin.

Në pritje të takimit trepalësh

Takimet e Trump me Putinin dhe Xi Jinping konsiderohen pjesë e përpjekjeve për të përcaktuar një ekuilibër të ri në marrëdhëniet mes Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit.

Vëmendja tashmë është përqendruar te takimi i mundshëm trepalësh, ku pritet të jenë në fokus siguria ndërkombëtare, lufta në Ukrainë, kriza në Lindjen e Mesme dhe e ardhmja e marrëdhënieve mes tri fuqive.

Ora 08:44
VIDEO-LAJM/ Samiti në Kinë, Trump kapet 'mat' duke fjetur teksa presidenti Xi mban fjalim

 

Në Shenzhen të Kinës po mbahet samiti i Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).

Gjatë fjalimit të udhëheqësit kinez Xi Jinping, presidenti Donald Trump është filmuar me sy të mbyllur.

Ky detaj nuk i ka shpëtuar mediave ndërkombëtare, të cilat shprehen se presidenti amerikan është duke fjetur gjumë.

Ora 08:17
Trump: SHBA-të kundërshtojnë çdo ‘rregullim globalist’ të inteligjencës artificiale! Duhet ta mbajmë në vëzhgim

Foto: Donald Trump

Shtetet e Bashkuara kundërshtojnë çdo formë të “rregullimit globalist” të inteligjencës artificiale (IA). Kështu deklaroi sot presidenti amerikan Donald Trump nga Shenzheni, ku, në kuadër të samitit të APEC-ut, zhvilloi një takim me homologun e tij kinez, Xi Jinping. 

“Bëhet fjalë për superinteligjencën, por duhet ta mbajmë nën vëzhgim. Duhet të jemi të kujdesshëm. Duhet të përfitojmë prej saj. Ajo është pothuajse tërësisht e dobishme, por ka edhe disa aspekte negative, ndaj duhet t'i kushtojmë vëmendje të madhe mënyrës se si i menaxhojmë ato. Prandaj, ne kundërshtojmë çdo formë të rregullimit globalist apo çdo masë që synon të kontrollojë dhe të frenojë ‘superinteligjencën’. Për të qenë të qartë, nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë”, theksoi Trump.

Ora 08:12
Kinë, përfundon pas një ore takimi i Trump me presidentin Xi

Foto: Donald Trump dhe Xi Jinping

Ka përfunduar takimi i presidentit amerikan Donlald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping

Sipas mediave në takimin që zgjati për rreth një orë Trump vlerësoi "marrëdhënien e tij të shkëlqyer me Xi" duke thënë se u shërben "shumë mirë" njerëzve në të dy vendet e tyre.

Ai tha se do të ngrinte kërkesën e tij të kahershme që Kina të blejë më shumë produkte bujqësore amerikane dhe deklaroi interes të përbashkët për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, ndërsa lufta me Iranin vazhdon e pazgjidhur.

Ora 07:23
Tre liderët më të fuqishëm të botës në një tryezë, por me interesa të kundërta! Ja çfarë kërkojnë të fitojnë Trump, Putin dhe Xi Jinping nga samiti në Kinë

Një përqafim i pazakontë mes Xi Jinping dhe Donald Trump, nga njëra anë, dhe vlerësimet e presidentit kinez për Vladimir Putinin, nga ana tjetër. Xi i cilësoi marrëdhëniet mes Kinës dhe Rusisë “të forta si shkëmbi përballë erës dhe shiut”.

Dy takime dypalëshe që i paraprinë samitit trepalësh në Shenzhen, të cilin shumë e kanë krahasuar me një “Jaltë 2”, duke iu referuar takimit të vitit 1945 mes Franklin Roosevelt, Winston Churchill dhe Josif Stalin, që çoi në ndarjen e botës në zona influence. Megjithatë kushtet sot janë të ndryshme dhe tre liderët kanë interesa strategjike që bien ndesh me njëri-tjetrin. Por çfarë kërkon secili prej tyre nga ky takim?

Sipas analizës së Corriere della Sera, Trump, i dobësuar pas humbjes në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, shpreson të arrijë suksese në politikën e jashtme. Ai synon të marrë lëshime nga Putin që do t'i hapnin rrugë përfundimit të luftës në Ukrainë, por kërkon edhe rezultate konkrete për armët bërthamore, krizën në Lindjen e Mesme dhe tregtinë.

Nga ana tjetër, Xi Jinping synon ta shfrytëzojë takimin për të forcuar imazhin e tij si një udhëheqës me rol në qeverisjen e re botërore, pa marrë përsipër angazhime detyruese. Presidenti kinez nuk është i interesuar për një marrëveshje që do të ngrinte në nivelet aktuale arsenalet bërthamore, pasi Kina ka arsenalin më të vogël nga të tre vendet. Ai kërkon gjithashtu përfundimin e luftës në Iran, e cila po ngadalëson furnizimet me naftë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Ndërsa Putin e sheh takimin si një mundësi për ta paraqitur Rusinë si superfuqi në të njëjtin nivel me SHBA-në dhe Kinën. Presidenti rus shpreson të sigurojë lëshime që do t'i mundësonin përfundimin e luftës në Ukrainë në kushte të favorshme për Moskën, pa ndërhyrjen e europianëve dhe pa praninë e Kievit në bisedime.

Ora 07:13
Vetëm një kamerë u lejua në sallë! Detajet nga takimi Trump-Putin në Kinë, kush ishin zyrtarët që i shoqëruan dy presidentët (VIDEO)

 

Një detaj që tërhoqi vëmendjen nga takimi mes Donald Trump dhe Vladimir Putinit në Shenzhen ishte kufizimi i rreptë i pranisë së mediave. Brenda sallës u lejua vetëm një kamerë televizive, ndërsa dy presidentët shoqëroheshin nga bashkëpunëtorët e tyre më të afërt.

Në krah të Trump ishin sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ndërsa Putin shoqërohej nga ministri i Jashtëm Sergei Lavrov dhe zyrtarë të tjerë të lartë rusë.

Ky ishte takimi i tyre i tetë ballë për ballë, pas atij në Alaskë në vitin 2025, ku bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë nuk sollën një marrëveshje zyrtare.

Ora 07:07
Kremlini zbardh takimin Trump-Putin: Diskutuan kryesisht për luftën në Ukrainë! Presidenti rus u largua me humor shumë të mirë

1795023295_donaldtrump.jpeg

Kremlini e ka cilësuar pozitiv takimin mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin në Shenzhen të Kinës.

Sipas presidencës ruse, dy liderët diskutuan kryesisht për luftën në Ukrainë, si dhe për çështje që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe mes SHBA-së dhe Rusisë.

Kremlini bëri të ditur gjithashtu se Putin u largua nga takimi “me humor shumë të mirë”.

Ora 01:00
Samiti me Trump dhe Xi, Putin jep mesazhin për luftën në Ukrainë: Bota të pranojë realitetet në terren!

“Kur bëhet fjalë për konfliktet e sotme, realitetet në terren do të duhet të pranohen”. Kështu deklaroi presidenti rus Vladimir Putin pas samitit me Donald Trump dhe Xi Jinping në Kinë, në një mesazh që BBC e interpreton si referencë ndaj luftës në Ukrainë.

Putin iu përgjigj edhe krahasimeve të takimit trepalësh me Konferencën e Jaltës të vitit 1945, ku udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe diskutuan në fund të Luftës së Dytë Botërore.

“Çfarë kishte të keqe Jalta?”, pyeti ai, duke argumentuar se ajo konferencë sanksionoi fitoren ndaj nazizmit dhe krijoi kushtet për themelimin e OKB-së.

Putin tha se do ta konsideronte të drejtë të sanksionohej edhe një fitore ndaj asaj që ai e quan “neonazizëm”. Presidenti rus mohoi gjithashtu se takimi në Kinë kishte për qëllim ndarjen e botës mes tri fuqive, duke deklaruar se as në Jaltë nuk u nda bota, por u njohën realitetet e krijuara pas luftës.