Skuadrat pjesëmarrëse në Botërorin 2026 janë duke 'ngrohur motorët' në prag të eventit më të madh global të futbollit. Në miqësoret e të dielës, Kroacia fitoi në shtëpi 2-1 kundër Sllovenisë, Maroku dhe Norvegjia barazuan 1-1, ndërsa Ekuadori fitoi 3-0 kundër Guatemalës.

Në stadiumin e Varazdin, Kroacia fitoi me vuajtje 2-1 kundër Sllovenisë në miqësore. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa duhej veterani Luka Modric që të kalonte vendasit në epërsi me një gol nga jashtë zone në minutën e 51-të. Miqtë hodhën shikimin në sulm dhe gjetën barazimin e përkohshëm me Andraz Sporar në minutën e 83-të. Kur dukej se dy skuadrat do të ndaheshin në paqe, Mario Pasalic i dha suksesin Kroacisë në minutën e tretë shtesë. Në Grupin L të Botërorit, Kroacia do të përballet me Anglinë, Ganën dhe Panamanë.

Të ndodhura tanimë në kampet stërvitore në SHBA, Maroku dhe Norvegjia barazuan 1-1 në stadiumin 'Sports Illustrated' në Harrison të New Jersey. Maroku kaloi në epërsi me golin e Brahim Diaz pas tetë minutave lojë, ndërsa Martin Odegaard barazoi në minutën e 75-të. Maroku bën pjesë në Grupin C të Botërorit, së bashku me Brazilin, Haitin dhe Skocinë. Ndërkohë që Norvegjia është pjesë e Grupit I së bashku me Francën, Senegalin dhe Irakun.

Në 'ScottsMiracle-Gro Field' të Columbus në Ohio, Ekuadori nuk e pati të vështirë të fitonte 3-0 kundër Guatemalës me golat e Caicedos, Angulos dhe Estupinian. Ekuadori bën pjesë në Grupin E të Kupës së Botës, së bashku me Gjermaninë, Kuraçaon dhe Bregun e Fildishtë.

Miqësoret:

Kroaci 2-1 Slloveni

Marok 1-1 Norvegji

Ekuador 3-0 Guatemala