Një shkrim i gazetarit B.Andoni përdor figurën e Tajar Zavalanit për të treguar se, ndonëse fasada e Shqipërisë ka ndryshuar (gradaçelat, makinat luksoze, flamujt e BE-së), softueri ynë social dhe politik ka mbetur i bllokuar në një ngërç shekullor. Kritikat e Zavalanit të para 92 viteve për “popullin” tingëllojnë sikur janë shkruar sot.

Andoni vëren se Tirana e vitit 2026 duket si metropol, por reagimi ndaj korrupsionit apo ndryshkjes në pushtet të “udhëheqësve” mbetet si dikur anemik. “Nuk bëhet punë me këtë popull!” – thotë Andoni (përmes Zavalanit) duke e konsideruar këtë një lloj fataliteti historik shqiptar.

Dua të ndalem pak te narrativa “fajin e ka populli”. E kam thënë edhe herë të tjera se ky është një mekanizëm mbrojtës i elitave tona për të shmangur llogaridhënien dhe për të justifikuar dështimet e tyre në udhëheqje.

Për të dalë nga kjo narrativë, përgjegjësia duhet të zhvendoset tek ata që kanë mjetet, fuqinë dhe detyrimin për të bërë ndryshimin.

Një popull nuk është i keq apo i prapambetur biologjikisht. Njerëzit i përshtaten rregullave të lojës. Nëse sistemi ndëshkon të ndershmin dhe shpërblen atë që gjen rrugë të shkurtra, njerëzit do zgjedhin rrugën e shkurtër për të mbijetuar.

Problemi nuk është “brumi” i njerëzve, por kallëpi (institucionet) ku ata hyjnë. Le të marrim ​shembullin e emigrantëve. Pse i njëjti shqiptar kur shkon në Gjermani, bëhet qytetar i rregullt?

Të gjithë përmendin apatinë. Ashtu është nëse e sheh sot për sot, por apatia nuk vjen nga përtacia, por nga zhgënjimi i akumuluar. Kur për 35 vite shikon që rotacioni politik prodhon të njëjtat rezultate, populli nuk “fajësohet” pse nuk reagon. Ai ka hyrë në një gjendje mbijetese.

Nuk mundet populli të “vetë-organizohet” në vakum nëse klasa intelektuale dhe politike nuk ofron një vizion të besueshëm dhe të pastër. Andoni e prek këtë, por mund të shkohet edhe më tej. Tek ne, jo vetëm klasa e dështuar politike, por edhe shumë intelektualë e përdorin popullin si tabelë qitje për të fshehur faktin që ata vetë janë komprometuar me pushtetin për përfitime personale.

Është më e lehtë të thuash “populli nuk bën” sesa të thuash “unë nuk kam guxim të rrezikoj privilegjet e mia për të mbrojtur të vërtetën”.

Sjellja shoqërore është produkt i një investimi afatgjatë që e bëjnë ata që kanë pushtetin e mendimit dhe mjetet e tjera. Nëse shteti investon vetëm në beton dhe jo në edukim dhe kulturë, rezultati social pas disa vitesh është i parashikueshëm.

Nuk mund t’i kërkosh dikujt të sillet si qytetar evropian nëse ai rritet në një mjedis intelektual të tillë si yni. Populli është reaktiv, jo proaktiv. Ai i përgjigjet stimujve që i jep sistemi.

Ndaj le ta heqim “fajin e popullit” nga ekuacioni dhe të pushojmë së kërkuari “heroizëm” masiv nga njerëzit e thjeshtë që janë të zënë me mbijetesën. Të fokusohemi te mekanizmat që detyrojnë ndryshimin e sjelljes.

I pari është radikalizimi i meritokracisë. Problemi më i madh në Shqipëri është se anti-vlera është fitimprurëse. Kur njeriu i thjeshtë sheh se dikush që shkel ligjin pasurohet dhe tjetri mbetet në fund të rreshtit, ai e racionalizon shkeljen e ligjit si mjet mbijetese.

Duhen krijuar ishuj ekselence së pari në administratë dhe institucione ku suksesi varet 100% nga aftësia. Kur sistemi fillon të shpërblejë talentin, njerëzit do të investojnë te dija dhe jo te miku apo “lidhjet e forta”.

E dyta, është krijimi i një elite kritike që nuk flirton me pushtetin. Shtresa e mesme dhe ata që e konsiderojnë veten intelektualë duhet të pushojnë së qeni klientë të partive. Sot, shumë prej tyre heshtin sepse presin një projekt, një post, apo një favor.

A jemi në një rreth vicioz të përjetshëm? Jo. Dallimi sot me kohën e Zavalanit (1934) është informacioni. Sot, një i ri në një fshat të thellë ka të njëjtin akses në informacion si një bashkëmoshatar në Berlin. Ky brez i ri nuk besoj se e pranon më “fatin” si shpjegim.

Njerëzit ndryshojnë sjellje kur opsioni “i mirë” është më i lehtë se opsioni “i keq”. E di që po përdore fjalën ndershmëri, disa do kruhen sikur kanë morra, por nuk po flas për moral. Quhet Nudge Theory, është ndryshim sistemik. Shoqëritë nuk ndryshojnë kur njerëzit bëhen engjëj, por kur sistemi e bën ndershmërinë më fitimprurëse se pisllëkun.

Në një sistem të tillë pra, që ua bën, njerëzve, të vlefshme, ndershmërinë, eja ta shohim se çfarë del nga ky qerrata popull që paska qenë kaq i vështirë sa na i lodhi e na i këputi këta që e udhëheqin.

Kaq janë rraskapitur të shkretët sa nuk ikin gjallë nga kolltukët./ Dita