Sot 4 të vdekur në 3 aksidente! Vdes 25 vjeçari dhe kushëriri i tij në Rrugën e Kombit, përgjumja e taksistit i merr jetën pasagjeres në Lezhë! Në Fier fermerin e zë poshtë zetori

Një 25-vjeçar i identifikuar si Andi Rrustaj ndërroi jetë pasi makina me të cilën po udhëtonte së bashku me një 19-vjeçar doli nga rruga dhe përfundoi në greminë. Të rinjtë nga Tropoja po udhëtonin nga Tirana drejt Kukësit kur shoferi humbi kontrollin e makinës në rrugën e Kombit. Vetëm disa orë më vonë, pavarësisht përpjekjeve në spital për ta mbajtur gjallë, ndërroi jetë edhe 19-vjeçari, Xheku Loku. Shkak i aksidentit dyshohet të jetë pakujdesia dhe manovrimi i gabuar i automjetit.

Ndërsa një 56-vjeçare, e identifikuar si Prena Gjetani ndërroi jetë teksa po udhëtonte me taksi drejt Rinasit së bashku me nusen dhe dy nipërit. Shoferi i taksisë dyshohet se ishte i përgjumur.

Një tjetër aksident me pasojë vdekjen ndodhi në fshatin Boçovë të Fierit. Eduart Metushi, 43 vjeç, ishte duke punuar me zetor në tokat e fshatit Boçovë dhe ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe ka rënë në kanal. Për pasojë e ka zënë zetori poshtë dhe ka ndërruar jetë.

Muaji maj ka regjistruar një sërë ngjarjesh rrugore në të gjithë vendin. Njollë e zezë vijon të mbetet aksi nga Ura e Tapizës deri në Lezhë dhe nga Miloti në Rrëshen. Në një raport të Institutit të Statistikave, thuhet se aksidentet patën një trend uljeje në muajin prill. INSTAT thotë se gjatë muajit të katërt të vitit numërohen 92 ngjarje rrugore nga 104 të ndodhura në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, thënë ndryshe 11,5 % më pak.

Sipas INSTAT, përsa i përket katërmujorit të parë të vitit, numri i të aksidentuarve është 524 persona nga 563 të aksidentuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për Policinë Rrugore, në uljen e aksidenteve ka ndikuar ndryshimi i Kodit Rrugor një vit më parë, përmes të cilit u shumëfishuan vlerat e gjobave të kundërvajtjeve rrugore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:42
Po udhëtonte me kushëririn në rrugën e kombit, por përfunduan në greminë, ndërron jetë në spital edhe 19-vjeçari

Xheku Logu, nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra nga aksidenti i mëngjesit të sotëm në rrugën e Kombit. Kujtojmë se fillimisht i riu doli gjallë nga makina e cila kishte përfunduar 100 metra poshtë rrugës, por humbi jetën në spitalin e Traumës në Tiranë.

Ora 13:00
Tërësisht e shkatërruar, pamjet e makinës që ra 100 metra në humnerë në rrugën e Kombit

 

Report Tv ka siguruar pamjet e makinës me të cilën po udhëtonin 2 të rinjtë kur ranë në humnerë në rrugën e Kombit rreth orës 04:00 të mëngjesit të kësaj të enjtjeje. Makina duket tërësisht e shkatërruar pasi ka rënë 100 metra në humnerë.

Fat tragjik pati 25-vjeçari, Andi Rrustaj, i cili gjeti vdekjen kur Benzi me të cilin udhëtonte me një 19-vjeçar, Xheku Logu, doli nga rruga dhe përfundoi në humnerë në afërsi të urës së Klosit, në autostradën Kalimash-Morinë.

Hetuesit dyshojnë për një manovër të parregullt të shoferit pasi  në rrugë nuk janë vë re gjurmë frenimi, ndërsa situatën e rëndon mungesa e trafikndarëseve që mund të shmangin rënien në humnerë.

Ora 09:10
Zetori bie në kanal, vdes 43-vjeçari në Fier! Po punonte tokat kur humbi drejtimin e mjetit bujqësor

 

Eduart Metushi, 43 vjeç ka ndërruar jetë në fshatin Boçovë, Fier.

Ai ishte duke punuar me zetor në tokat e fshatit Boçovë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe ka rënë në kanal duke e zënë zetori poshtë. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të saj.

Ora 08:05
Aksident i rëndë në rrugën e Kombit, makina përfundon në greminë, 100 metra poshtë rrugës! Vdes i riu, plagoset 19-vjeçari

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një 25-vjeçari ndodhi në orën 04:00 të mëngjesit të kësaj të enjte në rrugën e Kombit. Dy të rinj nga Tropoja, të identifikuar si Andi Rrustaj, 25 vjeç  dhe Xheku Logu, 19 vjeç, po udhëtonin nga Tirana drejt Kukësit me një automjet tip Benz kur në afërsi të fshatit Kolsh, drejtuesi i mjetit humbi kontrollin dhe doli jashtë rruge duke përfunduar në greminë, rreth 100 metra poshtë rrugës.

Nga shërbimet e policisë dhe të zjarrfikëses është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë të shtetasit  A. Rr. Ndërsa 19-vjecari është dërguar në spitalin e Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shkak i aksidentit mendohet të ketë qenë pakujdesia dhe manovrimi i gabuar i automjetit në rrugë pasi nuk janë vënë re gjurmë të frenimit. Ndërkohë nuk ka trafikndarëse mes rrugës dhe greminës ku përfundoi automjeti. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Ora 07:18
Taksia humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga në aksin Milot-Mamurras, vdes 56-vjeçarja, plagosen tre të tjerë! Shoferin dyshohet se e zuri gjumi

LEZHË- Një grua humbi jetën dhe 4 persona të tjetër mbeten të plagosur, pasi automjeti taxi me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe u përplas një grumbull gurësh të mëdhenj. Aksidenti ndodhi rreth orës 4 e 30 minuta të mëngjesit të së enjtes në autostraden Milot-Mamurras, në afersi të mbikalimit të Sanxhakut në Kurbin.

Viktimë e këtij aksidenti mbeti Prena Gjetani 56-vjeçe si dhe u plagosen nusja e djalit të saj Alda Gjetani 30-vjeçe bashkë me dy fëmijët e mitur dhe drejtuesi i automjetit taxi shtetasi Leo Duka 40-vjeç.Të plagosurit u dërguan me urgjence në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku pasi morën ndihmën e parë mjekësore mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas të dhënave familja nga Kurbini ishte nisur me taxi drejt aroportit të Rinasit, ku do të udhëtonin jashtë vendit. Ndërkohë policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti, që nga dhënat paraprake dyshohet të ketë ndodhur nga përgjumja dhe shpejtësia me të cilën lëvizte drejtuesi i taxis.

Ky është aksidenti i 11 që ndodh në rrugët e Qarkut të Lezhës në harkun kohor të 9 ditëve me një bilanc 3 të vdekur dhe 22 persona të plagosur. Kjo situatë e krijuar ka vënë në alarm dhe Policinë Rrugore e cila ka shtuar prezencën e saj në terren, ku brenda dy javësh janë ndëshkuar me masa administrative mbi 1 mijë drejtues automjetesh të cilët janë kapur në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor që bëhen burim aksidentesh.

A.M./J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Investimi i dhëndrit të Trump në Sazan, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Vuçiç paralajmëron Perëndimin për Kosovën: Nëse 'doni' ata, s’do keni Serbinë

Vuçiç paralajmëron Perëndimin për Kosovën: Nëse 'doni' ata, s’do keni Serbinë