MAT- 71.6 vite burg për 13 të akuzuarit nga prokuroria Mat për trafikimin e bimëve narkotike kryer në bashkëpunim. 13 personat e arrestuar me datë 28 Janar të këtij viti në operacionin e koduar "Kepi i Vozajve" janë njohur me vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë Mat. Seanca maratonë e nisur të premten e kaluar dhe mbyllur pasditen e sotme me vendimin final të gjykatës së Shkallës së Parë në Mat, dënoi me 71.6 vite burg 13 të akuzuarit nga prokuroria e Matit. Prokurori i çështjes Abaz Muça kërkoi nga gjykata dënimin me 73 vite, ndërsa për shkak të gjykimit të shkurtuar që kishin kërkuar të akuzuarit, masa e dënimit për secilin është ulur me 1/3.
Gjyqtarja e çështjes Suela Lika, pas pretencës së akuzës dhe palës mbrojtëse vendosi:
- 1 - Gëzim Ali Koleci 7 vite - 4.8 me ulje të 1/3
- 2 - Vilson Koleci 5.6 vite - 3.8 nga gjykimi shkurtuar
- 3 - Mehmet Koleci 6 vite, 4 vite burgim nga ulja me 1/3
- 4 - Idajet Koleci 6 vite, 4 vite me ulje të 1/3
- 5 - Gestjan Koleci 6 vite, 4 vite burgim nga ulja me 1/3
- 6 - Albert Koleci 6 vite, 4 nga zbritja e 1/3
- 7 - Lezan Riza Koleci 5 vite, 3.4 nga zbritja e 1/3
- 8 - Lezan Dyle Koleci 5 vite, 5 vite kusht (për shkak të moshës)
- 9 - Agim Koleci 5 vite, 3.4 vite burg nga zbritja e 1/3
- 10 - Afrim Haspepa 5 vite, 3.4 vite burg nga zbritja e 1/3
- 11 - Besmir Koleci 5 vite, 3.4 vite burg nga zbritja e 1/3
- 12 - Rasim Xheçuka 5 vite, 5 vite kusht (për shkak të moshës)
- 13 - Gazmir Xheçuka 5 vite, 2 vite burg
Të arrestuarit në fund të Janarit të këtij viti ishin vendosur në përgjim nga prokuroria që në vitin 2019, ndërsa aksioni për arrestimin e tyre u zhvillua në Mat e Tiranë.
Ata u arrestuan në superaksionin e policisë më 28 janar, ndërsa u shpall në kërkim Baftjar Xheçuka, 54 vjeç, lindur në fshatin Lam i Madh, banues në Kamëz. Ishte Gëzim Koleci, kryeplak i fshatit Lam i Madh, i cili organizonte punën për kultivimin e kanabisit, përpunimin e saj dhe më pas gjetjen e tregut për shitje, të cilën e siguronte nëpërmjet djemve të tij shtetasve Vilson dhe Gestian Koleci, që merreshin më pas edhe me transportimin e kanabisit. Gjykata e Krujës ka vendosur më parë për ta edhe masën e sigurisë 'arrest shtëpie', pasi në mars të vitit të kaluar u kapën me 6.8 kg marijuanë.
Ata akuzohen për kultivim të bimëve narkotike, prodhim dhe shitje, mbajtje i armeve, i armëve shpërthyese dhe municione.