Para disa ditësh siguria e HackingTeam u thye dhe shumë emaile të sigurisë së HackingTeam janë bërë publikë nga Wikileaks.
Shqiptarja.com ka siguruar edhe emailet e shkëmbyera mes HackingTeam dhe autoriteteve shqiptare, ku kontakti i parë i vendosur mes HackingTeam dhe SHISH sipas e-maileve të poseduara nga Wikileaks është bërë më 21 tetor 2013, ndërsa emaili i fundit i shkëmbyer rezulton më 08 maj 2015.
Ka qenë pikërisht Emad Shehata, përfaqësuesi i kompanisë italiane që ka krijuar edhe kontaktet e para me institucionet shqiptare. Sipas emaileve të siguruara nga A1 Report, Shehata ka lidhur kontakte me 3 burime në Shqipëri me qëllim prezantimin e shitjen e programit të përgjimit, të cilët janë Altin Hoxha, Ermal Dauti dhe Ergys Ligaçi.
Në kontaktin e parë ai i ka dërguar nga një email Altin Hoxhës më 21 tetor dhe (po atij i ka dërguar edhe emailin e fundit më 8 maj 2013) një ditë më pas Ermal Dautit ku u shpjegon funksionalitetet e programit dhe Emailet edhe pse në orare të ndryshme mbajnë të njëjtën datë.
(Emaili i parë dërguar punonjësit të SHISH, Altin Hoxha. I njëjti email i është dërguar Ermal Dautit)
Po në të njëjtën ditë Shehata ka shkëmbyer disa emaile me Marco Bettinin ku i shpjegon këtij të fundit se ka kontakte për programin e përgjimit në Shqipëri.
Ndërkohë që Shehat 6 ditë më vonë ka kontaktuar sërish me Altin Hoxhën ku i bën me dije se do të vinte në Shqipëri më datat 11-15 nëntor 2013.
Është e paqartë nëse përfaqësuesit e Hacking Team kanë ardhur në Tiranë në muajin nëntor 2013.
Por nga email-et dallohet se kanë rezervuar 2 udhëtime për në Tiranë më 23-24 janar 2014 dhe 17-18-19 shkurt 2014.
Në udhëtimin e fundit përfaqësuesit e Hacking Team kanë mbërritur në Tiranë për të prezantuar programin nga italianet Emad Shehata dhe Stefania Iannelli, ku sipas email-eve do të zhvillojnë takime me Ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe me Ministrin e Brendshëm, por në email duket qartë se është bërë një lapsus duke vendosur emrin e Presidentit Bujar Nishani.
Pjesë e shkëmbimeve të emaileve është bërë edhe Ergys Ligaçi, i cili i shpjegon se Shehatës se data 23 Janar 2014 nuk është e përshtatshme për zhvillimin e takimit, duke shtuar se kontaktin e tij ia dha Altin Hoxha.
Por nga ajo se çfarë mund të dallohet në email është edhe adresa e këtij të fundit @shish.gov.al, ku duket qartë se është punonjës i SHISH.
(Emaili i fundit i shkëmbyer mes palëve i bërë publik nga Wikileaks)
HackingTeam furnizuese me programe përgjimi e softuere të regjimeve diktatoriale
Kompania me qendër në Milano është dënuar nga ekspertë të sigurisë dhe organizatat jofitimprurëse për rolin e saj në furnizimin me softwareve dhe shërbime përgjimi regjimeve represive autoritare si në Sudan, Egjipti, Etiopie dhe disa agjenci amerikane. Para disa ditësh siguria e saj u thye dhe shumë emaile të sigurisë së HackingTeam janë bërë publikë nga Wikileaks.
Çfarë është Remote Control System Galileo
Sipas dokumenteve të bëra publike nga Wikileaks kontaktet e para kanë nisur në vitin 2013, ndërkohë që përfaqësuesit e HackingTeam kanë ardhur edhe në Tiranë gjatë vitit 2014 për të prezantuar programin e quajtur Remote Control System Galileo i cili është projektuar për të sulmuar, infektuar dhe monitoruar një numër tepër të madh kompjuterash dhe smartfonësh vjedhurazi.
Ai i lejon përdoruesit që të mbledhë fshehurazi të dhëna nga të gjitha sistemet operative të përdorura si Windows XP, Vista, Windows 7 dhe 8, Mac OS dhe linuks.
Në lidhje me smartphonët ai mund të monitorojë dhe përgjojë IPhonet, Symbian që përdor Nokia, Blackberry, Adroid –ët dhe telefonat Windows 8. Pasi objektivi është infektuar nga ky program, Remote System Control Galileo lejon hyrjen në aparat dhe marrjen e informacioneve të shumllojshme.
Këtu përfshihen të dhënat dhe komunikimet nga Skype, Facebook, Twitter, WhatsApp, Viber, Line etj. Programi përgjon gjithashtu në të gjitha gjuhët e tastierave kompjuterike apo të telefonave, zbulon vendndodhjen e tyre, u kopjon fotografitë, mikrofonat, pra bisedat dhe kamerat. Në mënyrë të padukshme ky program arrin të depërtojë edhe sistemet e mbrojtëse më të njohura.
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)