Tre zyrtaret e PD-së që janë thirrur nga prokuroria e Krimeve të Rënda nuk do të shkojnë sot për të dhënë shpjegime lidhur me përgjimin misterioz që ata pretendojnë se është bërë ndaj Agron Xhafës.

Deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Saliani janë sot në seancën parlamentare dhe ndaj i kanë kërkuar Prokurorisë caktimin e një dite tjetër.

Duke iu shmangur marrjes në pyetje nga Prokuroria, deputetët edhe ekpserti ligjor, ngrenë edhe më shumë pikëpyetje lidhur me autenticitetin e materialit.

Report TV ishte e para që ngriti dyshime lidhur me vërtetësinë e materialit audio të paraqitur nga Partia Demokratike.

Prokuroria e Krimeve të Rënda i kishte thërritur për t'i marrë në pyetje sot tre zyrtarët e PD, dy deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji si dhe ekspertin për çështjetl ligjore, Gazmend Bardhi lidhur me përgjimin ambiental të publikuar prej tyre 4 ditë më parë për Agron Xhafajn dhe dhe që ngriti dyshime të mëdha lidhur me autenticitetin e tij.

Tre opozitarët ishin thërritur për t'u paraqitur para Prokurorisë së Krimeve Të Rënda në orën 10:30 të ditës së sotme. Ata do pyeteshin lidhur me publikimin e përgjimit ku nga PD pretendohet se Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, bisedon me një trafikant droge për transportimin e një ngarkese me kanabis drejt Italisë i cilësuar si bashkëpunëtori X.

Agron Xhafaj kallëzoi për shpifje të hënën në mbrëmje Alibeajn, Salianjin dhe Bardhin pranë Prokurorisë së Tiranës, duke theksuar se sajuan këtë material në mënyrë të paskrupullt.

Në kallëzimin e bërë në Prokurori, Xhafaj thotë se zëri që dëgjohet në audio nuk është i tij.

Kur kanë kaluar katër ditë nga akuzat e opozitës në adresë të ministrit të Brendshëm, vëllai i tij, Agron Xhafaj iu është dorëzuar dje autoriteteve italiane për t'u përballur me drejtësinë e vendit fqinj lidhur me një vendim të Gjykatës së Kasacionit që e ka dënuar atë me 7.2 vite burg për trafik droge.

Kryeministri Edi Rama, e cilësoi si një manipulim dje materialin e PD-së, duke iu referuar një ekspertize ndërkombëtare për materialin.