Policia e Shtetit ka godetur një rast të përhapjes së materialeve pornografike me të mitur, në kuadër të operacionit ndërkombëtar "STREAM"

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka finalizuar një operacion të rëndësishëm në luftën kundër krimit kibernetik, duke arrestuar një 29-vjeçar në Tiranë për veprën penale "Pornografia me të mitur”.

Operacioni u zhvillua në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe në kuadër të aksionit policor ndërkombëtar të koduar "STREAM", kundër shfrytëzimit seksual të të miturve në internet.

Pas informacioneve të siguruara nga autoritetet policore gjermane dhe EUROPOL-i, strukturat shqiptare kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurale që çuan në identifikimin dhe arrestimin e M. Z., 29 vjeç, banues në Tiranë.

Njoftimi i policisë:

Policia e Shtetit/ Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike godet një rast të përhapjes së materialeve me përmbajtje pornografike që përfshijnë të mitur.

Në vijim të punës intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimit kibernetik, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për arrestimin e shtetasit M. Z., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Pornografia”, me të mitur.

Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “STREAM”, kundër shfrytëzimit seksual të të miturve në internet, me pjesëmarrjen e agjencive ligjzbatuese të 35 shteteve, përfshirë Policinë e Shtetit. Operacioni u zhvillua në drejtimin e Policisë Kriminale Shtetërore të Bavarisë dhe të Zyrës Qendrore Bavareze për Ndjekjen e Krimit Kibernetik (ZCB), si dhe me mbështetjen e EUROPOL-it.

Pas informacioneve të ardhura nga autoritetet policore gjermane dhe nga EUROPOL-i, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, ka kryer veprimet hetimore dhe procedurale që çuan në identifikimin dhe arrestimin e shtetasit M. Z.