Me 8 dynym sera, Zambak Çela është ndër prodhuesit kryesor të perimeve e zarzavateve në Dimal. Punon bashkë me dy djemtë por nuk nxjerr fitime. Kostoja, tregon ai është rritur që nga çmimi i naftës e deri tek pesticidet.

“Kam 4 dynym sallator dhe 4 domate. Ky prodhim ka kosto, por nuk mund ta shes më shumë se 100 lek/kg”, tha Çela.

Çela shpreh shqetësim se tregtarët e shumicës, që kanë pikat e grumbullimit kërkojnë të blejnë kastravecin me 100-150 lek për kg, ç’ka nuk justifkon as shpenzimet e jo më mundin e gjithë familjes.

“Kjo është skandaloze! Grumbulluesi thotë sille dhe po u shit malli do marrësh lek, po nuk u shit asgjë. Po unë çfarë të bëj se kam harxhuar 4 milionë me këtë serë”, tha Çela.

Zambak Çela tregon se është bashkë me djemtë janë të detyruar të bëjnë punë sezonale në Greqi për të larë borxhet e serave në Shqipëri.

“Do iki me njërin djalë në Greqi për të larë borxhet që kam marr në dyqane për plehrat kimikë”, shton ai.

Apeli i tij shkon për qeverinë, e cila duhet të luajë rolin e rregullarit në treg dhe të ndalë abuzimin e grumbulluesve me çmimet.