Foto: Anuela Ristani gjatë ceremonisë përkujtimore

Përpara Bashkisë së Tiranës u zhvillua sot ceremonia përkujtimore me rastin e 4-vjetorit të nisjes së sulmeve ndaj Ukrainës ku kanë humbur jetën shumë njerëz. Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, si dhe Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov.

Në fjalën e saj, Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, theksoi dimensionin emocional dhe simbolik të këtij përvjetori.

 “Është pothuajse e pabesueshme që e bëjmë këtë për të katërtin vit radhazi dhe është njëkohësisht po aq prekëse sa ç’ishte në vitin e parë. Është një nga ato momente ku bëhemi bashkë, por në të njëjtën kohë, të gjithë dëshirojmë të mos mblidhemi përsëri për këtë arsye”, deklaroi Rsitani. Ajo nënvizoi se, pavarësisht sfidave globale dhe lodhjes së përgjithshme, Tirana mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj. “Në këtë kohë lodhjeje dhe dekurajimi të vërtetë, mes vëmendjeve të shpërndara në shumë kriza globale e lokale, ne ende duam të theksojmë se Tirana qëndron me Ukrainën, ashtu siç ka qëndruar që nga dita e parë.

Jo vetëm Tirana, por të gjithë ata që mbështesin drejtësinë, lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Tirana është ende këtu, Shqipëria qëndron këtu për të gjithë ata që në çdo mënyrë mund të ndihmojmë dhe në çdo mënyrë që mund të mbështesim. Edhe nëse zhurma bëhet më e madhe, ne do të bërtasim me zë edhe më të lartë për drejtësi, për të bërtitur për atë që është e drejtë dhe atë që i detyrohemi popullit ukrainas. Faleminderit të gjithëve që erdhët, është vërtet bukur dhe prekëse t'ju kemi këtu, siç ishit këtu që nga dita e parë”, përfundoi Ristani.


Lajmi kryesor:

Ukraina në luftë prej 4 vitesh, Gonzato: Paqja është kritike, do të ketë presion diplomatik! Ambasadori Shkurov: Kërkojmë paqe afatgjatë