Lezha ka përkujtuar 81-vjetorin e çlirimit nga pushtuesit nazifashist. Në nderim të kësaj ngjarje të rëndësishme, veteran të luftës, pasaardhës të familjeve të dëshmoreve dhe përfaqësues të institucioneve vendosen kurore me lule dhe bënë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve.

Nënkryetarja e bashkisë, Eueda Molla dhe përfaqesues të organizatës së veteranëve, sollën në kujtesë sakrifricën dhe kontributin e të gjithë atyre që dhanë jetën për çlirimin e vendit.

“Lezha ka qenë gjithmonë një qytet me histori të madhe. Kjo trevë ka ditur të japë figura, vlera dhe qëndresë. Përulemi përpara veteranëve që na kujtojnë se liria nuk ishte dhuratë, por një çmim me shumë sakrifica. Lezha është një qytet që po ecën përpara çdo ditë më shumë me projekte dhe vizion për zhvillim. Lezha është një qytet që e respekton historinë e tij”, tha Eueda Molla gjatë fjalës së saj.

“Është një datë e madhe dhe e mrekullueshme. Është një ditë që erdhi si rezultat i asaj epopeje të lavdishme të popullit tonë”, tha Veli Myftari, sekretar i Organizatës së Veteranëve të Kombit.

Aktiviteti i organizuar nga Bashkia Lezhë për 81-vjetorin e çlirimit përfundoi me koncert festiv të organizuar nga shkollat e qytetit në pallatin e Kulturës "Ded Ndue Lazri".