Lezhë - Argjinatura e çarë për të dytën herë e lagunës së Vainit në zonën e Tales në Lezhë është arritur të izolohet, por rreziku vijon te mbetet prezent. Operacioni i ndërhyrjes, në të cilin u përfshinë forcat e ushtrisë dhe kompani private ka përfunduar rreth orës 03:00 të mëngjesit të së martes, ku janë hedhur tonelata gurësh dhe inertesh për riparimin e argjinaturës.
Pas një pauze disa orëshe mjetet e ushtrisë dhe Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, u rikthyen sërish në terren gjatë orëve të paradites, për të vijuar me përforcimin e argjinaturës, e cila ende ka rrjedhje uji. Fatmirësisht, çarja e argjinaturës për herë të dytë nuk ka shkaktuar permbytje te reja në Njësitë Administrative të Shenkollit, Kolshit dhe Zejmenit.
Ndërkohë, që prej datës 23 nëntor, policia ka kryer veprime verifikuese dhe ka referuar materialet në Prokurori lidhur me çarjen e argjinaturës, pasi ka dyshime se incidenti mund të ketë ndodhur si pasojë e mos hapjes së kanalit natyror që siguron komunikimin e detit me lagunën e Vainit.
Prokuroria po verifikon veprimet e Drejtorise Rajonale te Kullimit dhe Ujitjes si dhe Administratës së Zonave të Mbrojtura, për të parë nëse ka element të veprës penale e më pas pritet të vendoset nëse do regjistrohet procedim penal për rastin në fjalë.
Nga çarja e argjinaturës së Vainit, mbrëmjen e 19 nëntorit u përmbytën qindra hektarë tokë bujqësore në disa zona të Lezhes, 5 banesa si dhe rreh 100 të tjera u rrethuan nga uji, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme kryesisht në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.
"Komisariati Policisë Lezhë. Më datë 23.11.2025, ora 15:00, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për vlerësim, pasi më datë 19.11.2025, ora 22:00, është njoftuar nga banoret e fshatit Grykë-Lumi, Njësia Administrative Shënkoll, Lezhë, se banesat e tyre janë duke u përmbytur nga uji. Nga veprimet e para hetimore dhe ka rezultuar se në distancën 1.9 kilometra nga Hidrovori i Tales, Lezhë, është çarë argjinatura që ndan fshatin Ishull-Lezhë me fshatin Grykë-Lumi. Kjo argjinaturë është me material dheu dhe rëre e cila është hapur në një gjatësi 35-40 metra. Vijojnë hetimet për zbulimin e shkakut që ka sjellë çarjen e kësaj argjinature.", njofton policia.
Komente









