Ndryshimi i tarifave të shërbimit përmbarimor me firmën e dy ministrave teknikë të PD-së, Gazmend Bardhit dhe Helga Vukatj, ka përfshirë në një sherr publik shoqatën e bankave me atë të përmbaruesve privatë.

Pas akuzave që shoqatat e bankave kanë bërë duke i quajtur tarifat abuzive, kanë reaguar përmbaruesit privatë.

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, nëpërmjet një deklarate për shtyp, thotë se Shoqata Shqiptare e Bankave po kërkon të ushqejë opinionin publik me disa informacione abuzive me qëllime të rrezikshme.

Përmbaruesit rendisin disa argumente kundër bankave, ku ndër të tjera thonë:

Së pari, Kuvendi i Shqipërisë, ministrat e qeverisë shqiptare dhe Presidenti i Republikës janë organe që me aktet e tyre krijojnë sovranitetin tonë shtetëror, i cili nuk mund të diskutohet apo goditet nga përpjekje apo pozicione të cilat, duket qartë se kërkojnë të krijojnë një sovranitet tjetër - “sovranitetin bankar”.

Së dyti, Shoqata Shqiptare e Bankave nuk gëzon sot legjitimitet juridik për të kundërshtuar ligjërisht realitetin e ri të tarifave të reja të shërbimit përmbarimor, pasi këtë nuk ia ka dhënë asnjëherë ligjvënësi. Këto qëndrime ne i konsiderojmë si sfidë serioze ndaj sovranitetit shtetëror.

Së treti, Pretendimet e Shoqatës Shqiptare të Bankave, se tarifat e shërbimit përmbarimor janë rritur në atë masë sa do të krijojnë një “barrë shtesë për qytetarët dhe taksapaguesit” janë aq të pabaza dhe të pamoralshme, sa qindra - mijëra rastet e abuzimit bankar që lidhen pikërisht me ta.

Në vijim, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Privatë garanton se do të zbatojë cdo akt ligjor pavarësisht kundërshtarëve dhe ka edhe një mesazh final për përfaqësuesit e bankave.

“Ka ardhur koha që t`i jepet fund çdo forme presioni ndaj institucioneve dhe ligjeve, edhe kur ato vijnë në formën e kamuflimit të “argumenteve apo mendimit kritik”.

Ka ardhur koha t`i jepet frymëmarrje korpusit të ligjeve, apo institucioneve që jetësojnë ligjet e vendit tonë në mënyrë faktike dhe jashtë diktimit të kushteve apo mentalitetit të “të fortëve””.

Gjatë muajit korrik me firmën e ministrit të financave dhe atij të drejtësisë tarifat e përmbarimit u rritën në të gjitha nivelet, duke rritur kostot për qytetarët, por edhe për subjektet tregtare që japin kredi. 

Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com