Real Madrid fitoi 2-1 ndaj Getafen në derbin e vogël të kryeqytetit spanjoll. Për javën e katërt në La Liga, skuadra e Ancelottit u rikthye në “Bernabeun” e modernizuar, duke marrë tri pikë me përmbysje dhe vuajtje, me ndeshjen që u vendos vetëm pas 95 minutave lojë.
Ish-i i Galaktikëve, Borja Mayoral zhbllokoi ndeshjen për Getafen pas 11 minutave lojë, edhe pas gafës së Garcias në prapavijën e vendasve. Getafe e mbylli në avantazh pjesën e parë, teksa 45 minutat e dyta nisën me gol. Ishte afrimi i verës, Joselu që vendosi ekuilibrat në të 47 minutë. Kur u duk se skuadrat do ndanin pikët, “mister 100 milionëshi” Bellingham në minutën e 95 shënoi për 2-1, duke i dhënë fitoren Real Madridit.
Me 12 pikë të plota pas katër javëve të para të La Ligas, Real kryeson momentalisht renditjen, në pritje të ndeshjeve të rivalëve.